Majko: Detyra e Metës është të ulë palët në dialog jo të marrë pjesë në tubime
Socialistët e cilësojnë akt të paprecedentë thirrjen e Presidentit Ilir Meta për të mbledhur në një tubim shqiptarët më 8 dhjetor. Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, thotë se Presidenti duhet të ulë palët në tavolinë dhe jo të bëhet palë.
Për socialistët thirrja e së dielës nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta për tubim mbarëpopullor në Ditën e Rinisë me 8 dhjetor, është e paprecedentë.
Deputetët e mazhorancës i kërkojnë Kreut të Shtetit që të respektojë kompetencat e tij të Kushtetutës dhe të gjejë një zgjidhje për krizën politike që ka përfshirë vendin prej rreth 1 viti.
Majko: Nuk është koha për tubime. Mendoj se Presidentit si përfaqësues i simbolit të unitetit kombëtar, e shkruajtur në Kushtetutë, i duhet të ulë palët në tavolinë dhe jo të bëhet palë. Konceptin se duhet të dalë Presidenti nëpër Shqipëri për të bërë miting nuk e kuptoj, nuk di të ekzistojë një precedent tjetër në një vend perëndimor.
Manja: Nëse Presidenti ka thirrur një tubim, mendoj se tubimet i thirrin udhëheqësa ose liderë të partive politike. Nëse Prtesidenti i Republikës është pozicionuar ndryshe nga çfarë e përcakton funksioni i lartë apo detyra e lartë shtetërore që ai mban si President i Republikës kjo është çështje e Presidentit të Republikës.
Ndërsa për referendumin e iniciuar nga Ilir Meta pas takimit me ish-Presidentët dhe përfaqësuesit e drejtësisë për mbrojtjen e pluralizmit parlamentare, socialistët nuk kanë një argument, pasi sipas tyre duhet bërë publike qëllimi i Kreut të Shtetit.
Majko: Do ta shikoj, nuk e kam parë.
Manja: Nuk e di çfarë do të kërkojë me referendum Presidenti, kur ta sqarojë Peresidenti atëherë do të kem dhe unë një përgjigje.
Balla: Merruni me këtë prezantim sot dhe aty i keni të gjithë përgjigjet.
Pavarësisht oponencës së socialistëve, Ilir Meta është i vendosur që me 8 dhjetor t’i presë qytetarët në sheshin “Demokracia” në Qytet Studenti.
Presidenti garanton se Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve.