"Luftë" në New Jersey, vriten 6 persona

"Luftë" në New Jersey, vriten 6 persona

Forca të shumta të policisë speciale amerikane u desh të përballen për disa orë me një sulm të armatosur në qytetin e Jersit. 6 persona mbetën të vrarë, mes tyre një polic aktivist për eliminimin e armëve ilegale nga rruga. Ngjarja po hetohet por paraprakisht nuk dyshohet si një akt terrorist.

Një përplasje me armë në qytetin amerikan të Jersit ka lënë 6 persona të vdekur, përfshirë një oficer policie, 3 qytetarë dhe 2 autorët.

Ngjarja u raportua mesditën e së martës kur policia u prit me breshëri plumbash në varrezat lokale, ku dy autorët dyshohet se po hetoheshin për një vrasje.

Pas qëllimit për vdekje të një prej oficerëve dhe plagosjes së dy të tjerëve, të dyshuarit u larguan duke u zhvendosur në një supermarket të zonës.

Tre personat aty brenda u ekzekutuan ndërsa një i katërt mbeti i plagosur.

Forcat e rendit dhe ato federale të sigurisë u desh të mbrohen nga municioni i shumtë i lëshuar pa pushim nga autorët.

Ata u vranë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë pas gati katër orëve përballjeje.

Motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i njohur dhe autoritetet thonë se hetimi i saj mund të zgjatë me muaj për shkak se incidenti u shënua në tri vendngjarje të ndryshme.

Në furgonin e autorëve policia gjeti edhe një aparat të dyshimtë që po ekzaminohet.

Autoritetet e kanë përjashtuar fillimisht mundësinë e sulmit terrorist.

EMISIONET