Logjika mbi fantazinë e Shengenit Ballkanik

Logjika mbi fantazinë e Shengenit Ballkanik

Për hir të kronikës, ishte fillimviti 2017.

Të ardhurat e ulëta e papunësia e lartë rëndonin si sot jetën e  qytetarëve në rajon, mijëra njerëz të arsimuar emigronin e emigrojnë  drejt perëndimit çdo vit dhe pritja për hapjen e dyerve të Europës sa e  shton edhe më shumë cinizmin se hyrja në familjen e përbashkët do të  arrihet vetëm duke shkuar çdo njeri me këmbët e veta. Për këtë, asokohe  Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Johannes Hahn mbështeti publikisht  krijimin e Zonës Ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti i  Triestes u zhvillua pikërisht me këtë ide, të ofroheshin fondet për  projekte konkrete ndërlidhjeje dhe të testohej Zona e Përbashkët  Ekonomike.

Kryeministri Edi Rama në editorialin e tij për Wall  Street Journal po në atë kohë argumentonte se pse Shqipëria do të  mbështesë Zonën e Përbashkët Ekonomike. Vetë Vuçiç, presidenti serb, i  pyetur se përse duhet kjo Zonë Ekonomike kur Bosnie-Hercegovina,  Shqipëria, Maqedonia Mali i Zi, Kosova dhe Serbia bashkëpunojnë nën  Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA),  argumentonte se bashkëpunimi edhe më i thellë do të siguronte rritje të  qëndrueshme. Duke folur për hekurudhën që do të lidhë Beogradin me  Sarajevën e Prishtinën ai qartazi u shpreh se nuk është vetëm një  projekt ekonomik, por Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, një ide  politike që nuk prek sovranitetin e vendeve anëtare.

Këtu nisi  paniku për një projekt që do të rikthente Jugosllavinë e dikurshme, në  mos një epërsi të ekonomisë, që do kish përfitimin më të madh, Serbisë.  Kritikat asokohe mbi zhvillimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike  buronin më së pari nga kjo deklaratë.
Kosova u alarmua, pas saj  Shqipëria do të mohonte ekzistencën e një plani të tillë. I cili  rimerret pas 2 vitesh, por me mbështetjen e Shqipërisë dhe kundërshtinë e  Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë.

Që të kundërshtosh një ëndërr në  sirtar të Vuçiç për “Jugosllavinë plus Shqipërinë” (vështirë të  harrohet kjo deklaratë), të duhet jo një ëndërr tjetër, por realitet.  Realiteti se Shqipëria po hidhet në një aventurë pa transparencë  pasojash.

 Ja faktet:

Cila është madhësia e ekonomisë  shqiptare? Cili është ndikimi i saj në rajon? Në ç’vend renditet sipas  treguesve makroekonomikë?

Prodhimi i brendshëm bruto i të gjitha  vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas FMN nuk është as 1% e totalit të  prodhimit të Europës Perëndimore. Në Ballkanin Perëndimor Serbia kryeson  me mbi 42% të ekonomisë së këtij rajoni, gati 5fishi i ekonomisë sonë.

Të ardhurat e Shqipërisë sipas konvergjencës janë sa 30% e mesatares së  BE-së, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në  rritjen e të ardhurave, të gjitha mbi 30%, me Serbinë në epërsi të  dukshme.

Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë pasur të  ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në  rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për  frymë, duke u renditur i 79-i në botë, i ndjekur nga Serbia me 6,815  dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe  Bosnjë-Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100).

Në raportin e fundit  ‘Doing Business’ të Bankës Botërore, Shqipëria ka renditjen më të ulët  në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Kosovën.

Sipas Eurostat, vitin e kaluar eksportet e kompanive shqiptare në  tregjet e huaja ishin vetëm 7.7% e prodhimit kombëtar ose rreth 5 herë  më pak se sa mesatarja e vendeve të BE.
Shqipëria ka një nivel  jashtëzakonisht të ulët eksportesh edhe nëse krahasohet me ekonomitë e  ngjashme që e rrethojnë. Në Bosnje, eksportet e mallrave zënë 30% të  Prodhimit Kombëtar, në Serbi 37 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shifra  arrin deri në 40%. Niveli i ulët i eksportit të mallrave është tregues i  prapambetjes ekonomike të vendit, veçanërisht sektorit të industrisë,  që është dhe gjeneruesi kryesor i eksporteve.

Sipas Eurostat,  Shqipëria është vendi më i pa-industrializuar i Europës, teksa në total  sektori i industrisë zë vetëm 13% të prodhimit kombëtar, nga 20% që  është mesatarja e rajonit.

Në Indeksin e Inovacionit Global  Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të  ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë  së informacionit.

Pra Shqipëria ka dështuar në krijimin e një  mundësie për të qenë lider në tërheqjen e investimeve. Sepse lider nuk  të bën as dëshira e mirë, as vetëkrekosja e as shtatlartësia e liderit.  Kush ka menduar se fondet do të shpërndahen sipas centimetrave të trupit  dhe egos së udhëheqësve duhet mos lejojë të përvëlohet nga vlimi i  ‘kazanëve’ mediatikë.

Si do ta përballojë Shqipëria konkurrencën  në rajon? Dhe a është vërtetë një shtojcë në ëndrrën e Vuçiç dhe atyre  që duan të ngjallin me shifra ekonomike Jugosllavinë e re?

Gjykojeni vetë!

EMISIONET