Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbrëmjen e sotme listën e tretë të bonusit të qirasë për 266 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmetit, duke e çuar në total në afro 1200 qira.

Pas përgatitjes së dosjeve në kohë rekord, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur kalimin e listës së familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, që kanë aplikuar për bonus qiraje me kushtet e tregut.

Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit dhe të gjitha këtyre familjeve shuma e akorduar do t’u kalojë në llogaritë e tyre bankare ose mund ta tërheqin përmes postës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi në mënyrë të veçantë strukturat që kanë mundësuar në një kohë shumë të shpejtë të përgatisin dosjet dhe t’u vijnë qytetarëve në ndihmë me bonusin e qirasë. 

“Ndërkohë dua t’ju informoj që ka qenë një histori suksesi historia e sistemimit të qirave. Edhe mënyra e lehtësimit, ku vetëm me kartë identiteti tek sporteli, më është fiksuar sporteli 12 te Posta, merr pagesën me para në dorë, ekzaktësisht për sa dhoma e kuzhinë ke pasur”, tha Veliaj.


/Ora News.tv/