Bashkimi Europian ka vendosur unanimisht të ndalojë për 30 ditë hyrjen e njerëzve nga shtetet që nuk i përkasin bllokut. Kontinenti është nga zonat më të prekura me koronavirusin, me vatra të tilla si Italia, Spanja dhe Franca.

Vendet e Bashkimit Evropian do të mbyllin kufijtë për udhëtimet për një afat 30-ditor, në përpjekjen për të luftuar përhapjen e koronavirusit nëpër botë.

Pas një telekonference me liderët e BE-së, krerët e Komisionit dhe Këshillit Europian thanë të martën se masat do të aplikohen nga 26 shtete vetëm për shtetasit nga vendet joanëtare.

Nga to përjashtohen qytetarët e BE-së, diplomatët, stafin mjekësor, apo britanikët dhe personat që merren me transportin e mallrave.

"Armiku ynë është virusi dhe tani na duhet të bëjmë të pamundurën për të mbrojtur popujt dhe ekonomitë tona," deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula Fon Der Lajn.

Europa është një nga epiqendrat e reja të pandemisë Kovid-19, ku bilanci i të infektuarve dhe i viktimave vijon të rritet dita-ditës.

Numri i bartësve të infeksionit në Itali është rritur mbi 31 mijë dhe gati 2,500 kanë humbur jetën, apo rreth një e treta e gati 8 mijë viktimave në botë.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në Spanjë, Gjermani e Francë me gati 30 mijë të infektuar dhe mbi 700 viktima së bashku në harkun e një muaji.

Të tria vendet kanë shpallur masa kufizim-lëvizjeje.

Rritje eksponenciale po raportuan edhe Britania e Madhe që të mërkurën numëroi gati 2 mijë raste me Covid-19 dhe të paktën 70 viktima.

Qeveria ka apeluar shmangien e kontakteve sociale.

Nga vendet e Ballkanit, Greqia kryeson me afro 400 të infektuar, Serbia mbi 80, Maqedonia e Veriut mbi 30 dhe Kosova me afro 20 të infektuar.

Në rang global, në botë janë konfirmuar 200 mijë raste me koronavirus, shumica e tyre jashtë territorit kinez që ishte vatra fillestare e pandemisë.


Këto janë disa nga shtetet që kanë pezulluar udhëtimet:

Bashkimi Evropian: Udhëheqësit evropianë kanë pezulluar udhëtimet në BE për 30 ditë.

Shtetet e Bashkuara: Udhëtimet nga Britania e Madhe dhe Irlanda janë pezulluar, si dhe nga 26 vendet e BE. Udhëtarët nga Kina dhe Irani në 14 ditët e fundit gjithashtu nuk lejohen të hyjnë.

Australia: Australia kërkon që të gjithë personat që vijnë në vend të vetë-karantinohet për 14 ditë.

Kanada: Hyrja u mohohet njerëzve që nuk janë shtetas kanadezë, qytetarë amerikanë ose banorë të përhershëm.

Kina: Të gjithë shtetasit e huaj që mbërijnë në Pekin duhet të kalojnë një karantinë të detyrueshme 14-ditore në objektet e përcaktuara dhe me koston e tyre. Të ardhurit nga Irani, Italia, Japonia apo Korea e janë subjekt i karantinës për 14 ditë. Shanghai ka renditur 12 vende nga të cilat udhëtarët e mbërritur do të karantinohen për 14 ditë.

Republika Çeke: Vizitorët nga Kina, Koreja e Jugut, Irani, Italia, Spanja, Austria, Gjermania, Zvicra, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Danimarka dhe Franca do të ndalohen. Udhëtimi jashtë vendit në vendet me rrezik të lartë është gjithashtu i ndaluar.

Gjermani: Janë mbyllur kufijtë me Austrinë, Zvicrën, Francën, Luksemburgun dhe Danimarkën.

Hungari: Mbllyje e kufijve për të gjithë shtetasit e huaj

Japoni: Ndaloher hyrja e shtetasve që vijnë nga vendet e prekura kur përfshihen Kina, Koreja e Jugut dhe Italia.

Rusia: Personat që kanë qenë në Kinë, Francë, Gjermani, Korenë e Jugut ose Spanjë dhe që po planifikojnë të qëndrojnë në Moskë duhet të raportojnë vetë pranë autoriteteve dhe të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë.

Koreja e Jugut: Vizitorët që kanë qenë në Provincën Hubei të Kinës në 14 ditët e fundit, nuk u lejohet hyrja në vend.

Spanja: Vendi ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme

Turqia: Ndalohet udhëtimet për në dhe nga 9 vende evropiane: Gjermani, Spanjë, Francë, Austri, Norvegji, Danimarkë, Suedi, Belgjikë dhe Hollandë. Shtetasit e atyre vendeve nuk lejohen të hyjnë në vend.

Të tjera shtete që kanë pezulluar udhëtimet janë Kamboxhia, Cape Verde, Kolumbia, Egjipti, Haiti, Hong Kongu, India, Malajzia, Maroku, Zelanda e Re, Peruja, Filipinet, Arabia Saudite, Sri Lanka, Bolivia, Tajlanda, Vietnami.

/Ora News.tv/