Lirohen tre protestuesit e Astirit

Lirohen tre protestuesit e Astirit

Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e prokurorisë për të mbajtur në burg tre banorët e Unazës të arrestuar për bllokimin e rrugës në zonën e Astirit. Togat e zeza urdhëruan lirimin e tre qytetarëve, ndërsa avokatët thanë se policia u ka hequr atyre lirinë në mënyrë të paligjshme. Ish-deputeti, Klevis Balliu, dhe banorët e tjerë të ndaluar pritet të dalin në gjykatë të mërkurën.

Gjykata e Tiranës liroi nga qelia dhe la në "detyrim paraqitje" tre banorë të Unazës së Re, të cilët u arrestuan përgjatë mbrëmjes së të premtes.
Tomor Gjata, Eduard Ferhati dhe Ruzhdi Daci do të jenë të lirë, ndërsa seanca e masës së sigurisë ka zgjatur për gati tri orë.

Prokuroria kërkoi "arrest me burg", ndërsa gjykata vlerësoi që provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për mbajtjen e tre qytetarëve në burg.

Pas seancës, përfaqësuesi ligjor i 3 të pandehurve deklaroi se vendimi ishte i drejtë pasi prokuroria nuk kishte prova.

"Ishte një vendim i drejtë. E rëndësishme është që këta njerëz rifituan lirinë që  i ishte marrë e padrejtë" u shpreh avokati Jordan Daci.

Ndërsa një prej banorëve të Unazës së Re u shpreh që vendimi ishte në favorin e tyre, pasi bllokimi i rrugës nuk duhet të konsiderohet vepër penale.

Seanca me dyer të mbyllura u shoqërua me protestën e banorëve të Unazës para gjykatës.

Të dielën për të njëjtat akuza, gjykata la në burg 3 banorë të tjerë të Unazës, të cilët akuzohen se kanë bllokuar qarkullim rrugor në zonën e Astirit.

Në fundjavë policia arrestoi dhe 10 banorë të tjerë për të njëjtat akuza, mes tyre dhe ish-deputetin Klevis Balliu.

Këta të fundit pritet të dalin të mërkurën para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

EMISIONET