Ndonëse ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e caktuar, por edhe po të ratifikohej demarkacioni me Malin e Zi e tregoheshin rezultate konkrete në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit procedurat në Bashkimin Evropian (BE) do të marrin kohë.

Jehona Lushaku-Sadriu, njohëse e çështjeve politike, i tha Ekonomia Online se ndonëse nuk mund të caktohet një kohë fikse se sa do të marrin kohë procedurat në BE, ngase vendimi duhet të kalojë në shumë institucione në mënyrë që të lëvizet pa viza, lëvizja e lirë mund të vonohet.

“Nuk ka të caktuar një kohë fikse se sa marrin procedurat për shkak të shumë niveleve të vendimmarrjes që ka Bashkimi Evropian, duhet marrë vendime në Komisionin Evropian, në Këshillin e Ministrave, në Parlamentin Evropian pastaj shtetet anëtare duhet t’i ratifikojnë këto marrëveshje prandaj merr kohë dhe nuk është e caktuar me kohë”, tha ajo.

Por, Lushaku-Sadriu thotë se nëse ka një vullnet nga BE kjo çështje mund të shkojë në mënyrë të përshpejtuar, ndonëse gjithsesi kërkohen më shumë se 2 muaj.

“Nëse ka një vullnet politik dhe nëse ka premtime nga ana e politikanëve të Bashkimit Evropian se do të shkojnë në mënyrë të përshpejtuar do të mund të ishte çështje muajsh, por jo gjithsesi 1 ose 2 muaj gjithsesi kërkon më tepër kohë që pastaj prej marrjes së vendimit nga Këshilli i Ministrave kërkohet po ashtu një kohë shtesë deri te hyrja e vendimit dhe duhet edhe institucionet e BE-së të bëhen gati, por edhe institucionet e Kosovës për të filluar me liberalizim”, sqaroi Lushaku-Sadriu.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë fushatës kishte premtuar se liberalizmi do të ndodhte 3 muaj pasi ai të marrë mandatin, raporton EO.

Por tash kur kanë kaluar 100 ditë sa ai udhëheq me qeverinë ka dhënë një afat tjetër për heqjen e vizave. Muaji mars është afati kur mund të ndodh ky proces.

Me 15 janar Komisioni për Punë të Jashtme, do të shqyrtohet projektligji për demarkacionin, për të cilin pritet të votohet nëse do të shkojë ose jo në seancën e Kuvendit. Mos ratifikimi i kësaj marrëveshje vazhdimisht u përmend nga zyrtar të huaj si pengesë për mos liberalizim.

Por pa u plotësuar mbete edhe një kusht tjetër, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ditë më parë u shpreh jo fort i kënaqur me rezultatet sa i përket zgjedhjes së lëndëve të korrupsionit.



/Ora News.tv/