Tërmeti i 26 nëntorit, Korona virusi dhe periudha e karantinës, ka rritur kërkesën për mjek psikolog në qytetin e Lezhës. Ky qytet renditet me numrin me të lartë në vend të qytetarëve që kanë kërkuar këshillim online tek psikologet.

Periudha e karantinës është shoqëruar me kërkesa të shumta për ndihmë psikologjike për në Qarkun e Lezhës, duke e renditur këtë zonë me numrin më të lartë të personave në rang vendi, që kanë kërkuar këshillim online tek psikologet. Të dhënat janë bërë publike nga Urdhri i Psikologut, teksa në harkun kohor të 50 ditëve ka pasur 180 telefonatë e kjo lidhet dhe me faktin se kjo zonë është prekur dhe nga tërmeti i vitit 2019.

Psikologu Besmir Frroku thotë se kërkesat më të shumta për këshillim kanë ardhur nga grupmoshat 30-35.

“Kanë marrë fluksin më të lartë të telefonatat. Lidhet edhe me faktin që është lidhur edhe me tërmetin.”

Sipas Frrokut problemet më të shumta janë konstatuar me ankthin, e më pas renditen stresi, konfliktet bashkëshortore dhe çrregullime të sjelljes së fëmijës në kushtet e shtëpisë.

“Rreth 40% ka qenë ankthi dhe ataku i panikut që lidhet me karantinën dhe tërmetit. 10% kanë qenë në lidhje me çështjet bashkëshortore.”

Të dhënat e këtij studimi u janë  paraqitur institucioneve shtetërore, pasi situata shihet si mjaft problematike

“Në vazhdimësi do të bëjmë një depistim më të hollësishme, pasi të dhënat janë paksa problematike, sepse ka prezencë ta stresit dhe ankthit.”

Gjatë gjithë periudhës së karantinës, 13 psikologë në qarkun e Lezhës kanë ofruar këshillim online për popullatën.

/Ora News.tv/