Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për rastin e arrestimit dhe të deportimit të gjashtë shtetasve turq të lidhur me Gylenin.

LDK-ja ka kërkuar që seanca e jashtëzakonshme të mbahet të martën, në orën 11:00.

Për seancë të jashtëzakonshme duhet 40 nënshkrime.

LDK-ja ka kërkuar zgjedhje të reja, por Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, sot në “Express Intervistë”, ka thënë se kjo nuk është zgjidhje.

“Absurdi më i madh është që të kërkohen zgjedhje të reja në këtë moment. Zgjedhjet e reja do të shkarkonin këtë qeveri nga përgjegjësia për këtë rast. Unë shpresoj që opozita do ta kuptojë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por duhet ajo që duhet kërkuar është e vërteta e këtij rasti”, ka thënë Peci.

Peci ka propozuar që të bëhet një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga opozita.

“Nëse duhet, të kërkojmë edhe ndihmën e jashtme për t’i dhënë dritë të plotë këtij rasti. Me këtë fitohen kushtet që të sqarohen pozicionet e presidentit dhe të kryeministrit të vendit. Cilido prej tyre që e ka dhënë urdhrin duhet të shkarkohet”, ka thënë Peci.

/Ekspress/

/Ora News.tv/