Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ta marrë postin e presidentit dhe atë të kryeparlamentarit ndonëse për një gjë të tillë nuk po gjen pajtim nga partneri potencial i koalicionit. Për Vetëvendosjen pozita e presidentit është e panegociueshme dhe nëse LDK-ja nuk tërhiqet nga kjo kërkesë vendi mund të shkojë në zgjedhje, në të cilat partia e Kurtit po shprehet e gatshme të matet

Është bërë një javë prejse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë zhvilluar takim për arritjen e koalicionit qeverisës. Ndonëse kurorëzimi i koalicionit ishte premtuar të ndodhë qysh pas certifikimit të rezultateve, një gjë e tillë është stopuar për shkak të mospajtimeve për pozitat e mëdha qeverisëse, shkruan sot gazeta Zeri

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës po presin që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë kompromise të dhimbshme, duke e vënë në diskutim pozitën e presidentit. Ata theksojnë se nga këto negociata nuk do të dalin të nënshtruar. Përderisa nga Vetëvendosja vazhdojnë të pohojnë se pozita e presidentit nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike, meqë në atë pozitë duhet të vijë një figurë jopartiake dhe që do të luajë rol unifikues në spektrin politik. 

/Ora News.tv/