Kuvendi i Kosovës vijon debatin për korrigjimin e kufijve

Kuvendi i Kosovës vijon debatin për korrigjimin e kufijve

Kuvendi i Kosovës po debaton në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, apo “korrigjimin e kufijve”.

Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.

Konjufcka: Thaçi po sillet si monark

Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Thaçi po sillet si monark.

"Hashim Thaçi po sillet si monark absolut. E ka keqkutu mandatin si president. Kur dëgjon Hashim Thaçin që i thotë delegacionit gjerman që unë e di çka bëj me kufirin është tregues i qartë se ai po sillet si monark" u shpreh ai.

Hoti: Thaçi po shkel Kushtetutën

Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.

Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.

Hoti tha se presidenti Thaçi është duke mashtruar kur thotë se ka mbështetje ndërkombëtare për idenë e korrigjimit të kufijve. Ai e ka quajtur korrigjimin e kufjeve ide të Beogradit dhe Moskës për të penguar zhvillimin dhe fuqizimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri i madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetareve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Hoti.

Sipas Hotit, rishikimi i kufjeve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

Thaçi muajt e fundit ka prezantuar idenë e njohur tashmë si “korrigjimi i kufijve”, e cila sipas tij mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Për këtë ka pasur kritika jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar si dhe ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësime.


EMISIONET