Kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, komenton zgjedhjet e së dielës në Kosovë.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për Ora News, lidhur me rinumërimin e votave që mbahen në KQZ nga ana e LDK, ajo tha se kjo e zgjat procesin, pasi kjo parti ka deklaruar se nuk do të nisë bisedimet pa patur një rezultat final.

Lidhur me deklaratën e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti se mirëpret bisedat e menjëhershme për krijimin e institucioneve kur janë 37 mijë vota për tu numëruar, ndrojtjen lidhur me një ndryshim të mundshëm rezultati në favor të LDK e komentoi me këto fjalë:

"Vetëm nëse shkojnë në favor të rezultateve të Lëvizjes Vetëvendosje! Nga rezultatet e vitit 2017, mbi 70% e votave të Diasporës kanë shkuar në favor të Vetëvendosjes. Nisja e përfaqësuesve të Diasporës që kanë vijuar në Kosovë, është përcjellë me shenja dhe optimizëm. Të presësh që mund të ndryshojë rezultati në favor të LDK është pak idilike, pasi historia ka treguar të kundërtën,  në vitin 2017, Vetëvendosje ka fituar një mandat shtesë nga numërimi i votave të panumëruara ende në të kaluarën".

Sipas saj, qysh prej vitit 2008 në Kosovë ka zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se në rrethana të zakonshme këto mund të jenë qenë zgjedhjet më të mira, ku në raport edhe me fushatën, nuk ka pasur sharje, por se vetëm incidente të vogla janë shënuar.

Lidhur me negociatat për krijimin e qeverisë, shtoi se Albin Kurti ka përjashtuar bashkëpunim me Listën Serbe, ndonëse kjo forcë politike ka fituar në të gjitha zonat ku ka shumicë serbe.

"Qëndrimi i hershëm i kryetarit të Vetëvendosjes, dhe evidentimi i ndikimit nga Presidenti Vuçiç, nuk është diçka që është fshehur është diçka e dukshme. Edhe Lista Serbe ka ardhur si rezultat i Presidentit Vuçiç. Qasje e Listës Serbe, shihet si dorë e zgjatur e Serbisë. Lista Serbe ka shantazhuar dhe ka shkuar deri në kërcënime me jetë edhe nga përfaqësues të sigurimit serb. Kjo nuk është diçka që mund të heshtet apo pranohet", deklaroi Kusari Lila e cila përfaqëson subjektin "Alternativa", por është kandiduar nga VV.

Por ajo nuk përjashtoi vullnetin për bashkëpunim me përfaqësuesit e tjerë të minoriteteve serbe, duke deklaruar prerazi: "As serbët e Kosovës nuk janë të përfaqësuar nga Lista Serbe, ata janë të keqpërdorur. Kemi përfaqësues të tjerë të partive të tjera që në vazhdimësi kanë ngritur zërin për interesat serbe. Lista Serbe ka bërë kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ka kërcënuar edhe punëtorë serb me largim nga vendet e punë".

/Ora News.tv/