Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vijojë me rregulla të qarta! Është kjo deklarata e bërë nga kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në një intervistë ekskluzive për Ora News.

Ajo deklaroi se ligjërisht dhe me Kushtetutë është qeveria ajo që është e autorizuar për dialogun dhe se është edhe rezoluta e Kuvendit 2011 kur atëherë Hashim Thaçi ishte Kryeministër dhe në këtë drejtim tha se kompetencat për të dialoguar apo biseduar me Serbinë nuk janë nominale me emër të përveçëm të Hashim Thaçit, por se janë kompetencat të Kryeministrit të Kosovës .

Kusari Lila: "Fatkeqësisht kemi pasur zotin Haradinaj që ishte në krizë të përgjegjësisë dhe në një mënyrë ja la këtë përgjegjësi zotit Thaçi duke përjashtuar veten nga kjo përgjegjësi që ka qenë edhe prej zotit Haradinaj shkelje kushtetute pasi i takon qeverisë dhe Kryeministrit që të jetë në krye të delegacionit ashtu siç e përcakton Kushtetuta. Presidenti përfaqëson shtetin por në rast të përgjegjësive ekzekutive që ka negocimi me Serbinë ato janë kompetencë e qeverisë e Kryeministrit, prandaj nuk duhet të përsëritet gabimi. Kjo ka qenë një mungesë e përgjegjësisë e ish-kryeministrit Haradiaj, një marrje përgjegjësie e Presidentit Thaçi. Tashmë është e qartë se ekipi i ardhshëm negociator do të drejtohet nga zoti Kurti. Serbia ka sistem presidencial, Kosova ka tjetër sistem".

Kandidatja për deputete shtoi se të gjithë pajtohen se dialogu duhet të vazhdojë me rregulla të qarta, me një strategji të qartë dhe me konsensus politik.

"Ajo që kemi parë në këto dy vitet e fundit, kemi parë mungesë të konsensusit, domethënë hyrje në procesin e dialogut pas përgatitje të mirëfilltë dhe natyrisht mungesën e opozitës shqiptare kryesisht, mazhorancës shqiptare në Parlamentin e Kosovës për çështjet e dialogut. Kjo duhet të përfundojë, duhet të ketë një konsensus politik, një platformë e mbështetur nga të gjithë dhe natyrisht që duhet të jenë të qarta përfundimet që dalin nga marrëveshja në raport me obligimet që duhet të marrë Serbia në raport me Kosovën. Luftën e filloi Serbia, represionin e filloi Serbia. Në masë të madhe flasim për një shtet i cili ka ushtruar presion mbi shqiptarët e Kosovës mbi baza etnike. Në raport me taksën edhe më herët kemi qenë të mendimit të subjektit që përfaqësoj Alternativa, edhe me Vetëvendosjen që taksa duhet të zëvendësohet me reprocitet", deklaroi Kusari Lila.

Lidhur me taksën shtoi se nuk mund të hiqet taksa nga Serbia pa pasur asnjë mekanizëm i cili i tregon Serbisë se çfarë metode ata përdorin me Kosovën.

Në vijim tha se reciprociteti është treguar si instrument apo mekanizëm që funksionon është aplikuar në vitin 2011 kur u vendos nga qeveria e Kosovës, kur kujtoi se ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas saj, ishte reciprociteti ekonomik dhe tregtar dhe brenda 50 ditëve kur u vendos kushti që Serbia duhet të njohë vulat e doganës së Kosovës, ky kusht u plotësua edhe nga Serbia edhe nga Bosnje Hercegovina.

"Ka ende një mori temash dhe problemesh të tjera qofshin ato në rrafshin ekonomik dhe tregtar, politik diplomatik, lëvizjes së lirë që Serbia në vazhdimësi shkel dhe krijon probleme me Kosovën. Prandaj vendosja e masave të njëjta ndaj Serbisë do të tregonte para tërë botës se kush në fakt është Serbia dhe çfarë mekanizmash përdorin që ta paraqesin veten si viktimë si në rastin e fundit. Në rastin e taksës gjë që në një mënyrë apo tjetër iu konvenon edhe atyre që janë të gatshëm për dialog. Por se është pala kosovare ajo që vendos kushte. Pala kosovare gjithmonë është e treguar e gatshme për dialog, por se Serbia duhet të korrigjojë një mori sjelljesh që tregon ndaj Kosovës, për sa i përket njohjes", deklaroi Kusari Lila.

Në vijim tha se të gjitha partitë politike e kanë një ide të qartë që rruga e Kosovës është në integrimin europian dhe se Kosova në raport me Serbinë ka pasur një rrugëtim jo të mirëfilltë.

Kjo tha kandidatja për deputete e Vetëvendosjes, për arsye se në procesin e dialogut janë lënë shumë tema të rëndësishme jashtë, nuk është kërkuar llogari nga Serbia për dëmet e luftës, për të pagjeturit dhe një mori temash të tjera, si dhe pengesat e vazhdueshme që Serbia i bën Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

/Ora News.tv/