Kurz: Serbia në BE vetëm nëse arrin një zgjidhje me Prishtinën

Kurz: Serbia në BE vetëm nëse arrin një zgjidhje me

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të hënën në Beograd se është e rëndësishme që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës jo vetëm të vazhdojë, por edhe të përfundojë me sukses, sepse një gjë e tillë, siç u shpreh ai, është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

"Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim drejt së ardhmes", tha Kurz në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

"Nga këndvështrimi im, ky dialog duhet të përfundojë me sukses dhe për këtë u kërkoj njerëzve që t'i mbështesin të gjithë politikanët që duan të marrin këtë rrugë. E kemi të rëndësishme bashkëjetesën paqësore, që e kaluara të mbetet e kaluar dhe në këtë rajon të ketë qëndrueshmëri e paqe dhe jo shkatërrim e luftë", tha Kurz.

Vuçiç tha se Austria, edhe pse para dhjetë vjetësh e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e mbështet çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës.

"Serbët dhe shqiptarët janë milje larg nga çdo zgjidhje, por nëse arrijnë të bëjnë kompromis, kjo do të garantonte paqen në 100 vjetët e ardhshëm", tha Vuçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

EMISIONET