Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiqin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. 

Megjithatë ka pranuar se Vuçiç është ndjerë në presion.

"Ka të bëjë me rregullat e Chatam House prandaj nuk është e ndershme të flasim për atë që ka ndodhur brenda por nga ajo që kam thënë Vuçiç ndjeu presion të madh, presion të jashtëzakonshëm"  tha Kurti, për REL, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana e tij Presidenti Serb deklaroi se është takuar me Kurtin dhe e ka cilësuar debatin si të “ashpër”. 

Por ai nuk ka pranuar të nxerrë detaje nga takimi me dyer të mbyllura. 

Ky diskutim u zhvillua në prag të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet më 14 shkurt, në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiqit në të njëjtën tryezë.

Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh.

/Ora News.tv/