Kurti i shkruan letër Thaçit: Zgjedhje pas pandemisë, mos përdorni standard të dyfishtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar sërish letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke i bërë të ditur se nuk e refuzon kërkesën e tij për dërgimin e emrit të kandidatit për formimin e qeverisë.

Ai ripërsëriti kërkesën e tij për zgjedhje sapo të kalojë pandemia e koronavirusit.

Kurti edhe në këtë letër ka kërkuar sqarim për përdorimin e standardit të dyfishtë që Thaçi dhe partitë politike po tentojnë ta imponojnë në rrugë jokushtetuese.

“Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t'u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët- COVID-19,'' shkruan Kurti. 

Koalicioni qeveritar me LDK-në u përça në fundin e marsit për shkak të qëndrimit mbi heqjen tërësore të tarifave ndaj mallrave serbe, siç e kërkonte Uashingtoni por edhe partnerët europianë.

Që nga humbja e mocionit të mosbesimit më 25 mars, kreu i qeverisë këmbëngul se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe se ai duhet të qëndrojë në detyrë deri në fundin e pandemisë.

Presidenti Thaçi por edhe partitë e tjera parlamentare veç Vetëvendosjes e refuzojnë këtë skenar dhe kërkojnë pikërisht energji të reja vendimmarrëse për situatën me koronavirusin.

Në Kosovë, numri i viktimave nga Covid-19 ka shkuar në 12 ndërsa 449 raste janë diagnostikuar dhe 79 persona kanë rifituar shëndet të plotë.



EMISIONET