Rritja e rasteve të të prekurve nga tumoret është rritur me 1.4 përqind më shumë se një vit më parë. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike për herë të parë këtë vit akademik ka hapur profilin e kujdesit paliativ për studentët e ciklit master të infermierisë.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se ka një tendencë në rritje me të paktën 1.4 për qind të të prekurve nga tumoret krahasuar me një vit më parë. Në këto kushte, për të përballuar kërkesat për infermierë të specializuar që do të kujdesen për këta të prekur në Fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe Teknike është hapur një degë e veçantë.

"Mjekësia paliative është një disiplinë e re që kërkon mobilizimin e të gjithë aktorëve të shëndetësisë për të shërbyer në këtë fushë. Sëmundje kronike nuk është vetëm kanceri apo malinjitetet, por janë sëmundjet e tjera autoimune, sëmundje kardiake, sëmundje reumatologjike". 

Irena Laska, përfaqësuesja e një prej qendrave ku do të bëhet edhe trajnimi i studentëve të infermierisë për kujdesin paliativ, shprehet se pavarësisht numrit të lartë të të prekurve nga kanceri, kërkesat për të ndjekur këtë degë janë të ulëta.

Irena Laska: Është e vërtetë që numri i pacientëve me sëmundje të pashërueshme po rritet. Unë shoh një stepje nga studentët, por edhe nga infermierët. E shikojnë si një shërbim pa shpresë.

Masteri i Infermierisë në vitet në vijim nuk do të mbetet vetëm me një profilizim, stafi akademik synon ti shtojë ato në mënyrë që tu qëndrohet më shumë pranë pacientëve.

/Ora News.tv/