Shqipëria luan këtë të premte në "Fenerbahce Ulker Stadium" të Istanbul takimin e shtatë kualifikues të Euro 2020. Përballë kuqezinjve do të jetë kombëtarja vendase, Turqia.

Kundërshtarë mjaft i vështirë për djemtë e drejtuar nga Edi Reja, që janë të "dënuar" për të fituar. Një rezultat tjetër përpos fitores do të sillte daljen nga objektivat të kuqezinjve, që pas 6 takimesh në grupin H ndodhen në kuotën e 9 pikëve.

Ndërkaq, UEFA ka caktuar edhe katërshen e gjyqtarëve. Bëhet fjalë për një trupë rumune, e kryesuar nga Ovidiu Hategan. Ndihmës të 39 vjeçarit do të jenë Octavian Sovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Sebastian Coltescu.

Hategan është një emër mjaft i njohur për kuqezinjtë, të cilët i ka gjykuar më 11 shtator të vitit 2012 kundër Zvicrës, i fituar nga helvetët me shifrat, 2-0, ndërsa gjykoi edhe sfidën mes Borussia Dortmund e Barcelonës, takim i vlefshme për Champions League dhe i mbyllur në barazim 0-0. Takimi mes Turqisë dhe Shqipërisë luhet më 14 tetor në orën 20:45.

/Ora News.tv/