Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2019 i është dhënë kryeministrit etiopian, Abiy Ahmed. Ai është vlerësuar veçanërisht për iniciativën e tij vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrean fqinje. Një marrëveshje paqeje, e nënshkruar prej tij vitin e kaluar, i dha fund ngërçit ushtarak gati 20-vjeçar me Eritrean.

Akademia prestigjioze suedeze i ka akorduar Nobelin e Paqës për vitin 2019, kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, për përpjekjet e tij për “arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar” dhe veçanërisht për iniciativën e tij vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrean fqinje.

Armiqësia e gjatë mes Etiopisë dhe Eritreas, u pasua me një konflikt të armatosur në kufirin mes dy vendeve përgjatë viteve 1998-2000. Marrëveshja e paqes e nënshkruar vitin e shkuar mes Etiopisë dhe Eritresë, me ndërmjetësimin e Ahmed, i dha fund konfliktit ushtarak 20 vjeçar mes dy vendeve.

Por, edhe ky çmim nuk ka kaluar pa verejtje për akademinë. Një anëtar i audiencës ka theksuar se Ahmed nuk ka prezantuar ende reformën demokratike në Etiopi dhe pyeti se çfarë pret komiteti Nobel prej tij për zgjedhjet? Ndërsa Zëdhënësi u përgjigj se edhe Roma nuk u bë brenda një dite:

“Ne jemi njohur me zotimin e tij për të mbajtur zgjedhje demokratike vitin e ardhshëm dhe unë nuk jam plotësisht dakord me parashtirmin në pyetjen tuaj, sepse përfundimisht ai ka arritur shumë në reformimin e Etiopisë. Por ende mbetet punë për tu bërë. Dhe Roma nuk u bë brenda një dite, dhe as paqja dhe zhvillimi demokratik nuk do të arrihet në një periudhë të shkurtër kohe.”

301 kandidatë ishin nominuar për çmimin Nobel të këtij viti. Mes kandidatëve ishte dhe aktivistja për çështjet e klimës Greta Thunberg, bashkëshortja e aktorit të njohur George Clooney, Amal, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ish kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

/Ora News.tv/