Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Klosi hapin aksionin e pastrimit në Kosovë

Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Klosi hapin aksionin e pastrimit në

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi hapën zyrtarisht aksionin “Të pastrojmë Kosovën”  në lagjen “Kalabria” që njihet si një nga zonat më të mëdha të ndotura në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj falenderoi ministrin Klosi për praninë dhe mbështetjen në këtë aksion ndërkombëtar për të pastruar mbetjet  e dy dekadave të mëparshme.

Haradinaj: “Falënderoj të gjithë që jeni këtu e sidomos fëmijët, rininë e të gjithë edhe institucionet e vendit tonë, qeverinë, ambasadorët, FSK, KFOR-in dhe ministrin nga Shqipëria Klosin, dhe të gjithë që sot jeni këtu për ta pastruar Kosovën. Në ditën botërore për të pastruar, për një botë të pastër edhe ne e fillojmë aksionin me pastru Kosovën pa dallim as gjini, gjuhë, feje, etnie ose profesioni pra të gjithë sot jemi së bashku me e pastru vendin tonë”.

I shoqëruar nga të rinjtë vullnetarë nga Tirana e Durrësi ministri Klosi garantoi mbështetjen për aksione të përbashkëta në të dyja anët e bjeshkëve me qëllim një mjedis të pastër dhe zhvillimin e turizmit.

Klosi: “Ne jemi për të mbështetur lëvizjen vullnetare të të rinjve, lëvizjen vullnetare të shoqërisë civile e cila edhe sot po dëshmon se në të gjithë botën edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, që janë për mjedisin janë për pastërtinë, janë për një mjedis të pastër por në radhë të parë që ne të kemi një jetë të qëndrueshme. Përpjekjet që do të ndërmarrim sot është fillimi i një fushate që ne duam ta ndërmarrim gjatë gjithë vitit të ardhshëm për të pasur në të dyja anët e bjeshkëve një ambient të pastër, një zonë turistike të qëndrueshme, e në radhë të pare të kemi mirëqenie për qytetarët. 

Mendoj që puna për mjedisin është puna për jetën më të mirë. Prandaj sot jam këtu me një grup të rinjsh nga Shqipëria që duam të mbështesim këtë aksion edhe në përgjigje të pjesmarrjes së të rinjve vullnetarë nga Kosova në aksionet tona por edhe në mbështetje të kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Matoshi. Ne duhet të kemi aksione të përbashkëta që të dyja anët e bjeshkëve i paraqesin si zona të pastërta, me zhvillim të qëndrueshëm ambiental, por edhe zona me potenciale të jashtëzakonshme turistike”.

Më herë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi zhvilloi një takim me homologun e tij Matoshi.

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e mbështetjes së lëvizjes vullnetare dhe gjithëpërfshirjes së qytetarëve në pastrimin e mjedisit në Shqipëri dhe në Kosovë.

 Palët garantuan se mjedisi tashmë është prioritet i politikave të të dyja qeverive

EMISIONET