Në të vërtetë, të flasësh e të stërflasësh sot kritika për Ramën, është  gjithmonë e më e lehtë, sepse gjërat në qeverisje dhe në shtetzhbërje,  janë në një dekadencë të dukshme edhe për besimtarin e fundit komunist,  këtu në tokën shqiptare.

Mirëpo dukshëm kjo nuk mjafton, sepse kryeministri duke marrë mbi vete  vëmëndjen dhe shigjetat e pashmangshme, shpëton nga vëmendja shumë nga  qentë rreth e rrotull.

Po, e kuptuat qartë.

Kopera me qenë rrugësh apo qenë stanesh, me dhëmbët e qenit, të mprehta  dhe të gjata dhe gjithmonë të përgjakura apo me copa mishi të ndukura  nga kockat dhe që varen, sëbashku me jargët e shumta, nga nofullat e  poshtme dhe gjuha e jashtënxjerrur…

Sepse Shqipëria është gjithmonë e më e ngjashme me një therrtore, ku  ajo, Shqipëria, është superLopa, që therret e filetohet ditë pas dite,  me një passion dhe neps të paparë.

Thertorja Shqipëri, apo Republika e Shqipërisë, popullohet gjatë javës  (sepse fundjavat janë përtej Rinasit), nga profesionistë të përzgjedhur  të akuzuar si oligarkët e oborrit, nga amatorë që ulin gjithmonë çmimin e  shërbimeve në treg, dhe nga “Kçk- ista” (shkurtimi i shprehjes “kap,  çtë kapësh”, lexohet këçëkëista) të panumërt, aventurierë të  kudondodhur.

Tani sëfundmi, këta “këçëkëistat”, janë vendosur në trysninë e  përndjekjes së zhurmshme, kryeministrore, sepse ata janë fajtorët  modernë të rrumpallës Ramiste, janë ata pra sot armiku, se Opozita, u  kalb në opozitë dhe nuk ka më pupla të shumta mediatike, për t’i shkulur  e për t’u ankuar. Dhe ish oligarkët e ishpushtetit, sot pa pushtet,  janë sot yzmeqarë lluksi, në oborrin e kryeministrit, pavarësisht  pordhës që shprehin në publik…

Kështu pra, këta këçëkëistat, këta qenë të tërbuar, janë sot problem për  tu zgjidhur! Dhe kur e thotë Rama këtë, e mban fjalën, ay!

Sepse në të vërtetë, këçëkëistat, nuk raportojnë askund, nuk kanë një  teser të qëndrueshme partie e nuk mbledhin vota, demek bëjnë edhe si të  pavarur dhe u shkelin syrin edhe opozitës, në raste të caktuara…

Nuk paguajnë pra gjoba këta, nuk paguajnë taksa dhe heshturazi e pa bujë  të madhe, po bëjnë kërdinë në xhungël, sipas ankesave të oligarkëve të  oborrit, e pra duhen sulmuar, duhen shpuar në vesh e numëruar,  sterilizuar, e në raste të mosbindjeje, mund të hiqen qafe në çdo kohë…

Pavarësisht ku ndodhen e çfarë pune demek bëjnë këta këçëkëistat, janë  sot e deri në vitin 2021, armiku numër Një i pushtetit dhe një punë e  kokëçarje e madhe për mjekrroshin e ri!

Që askush të mos guxojë, të shkulë apo të ndukë mish lopeshqiptare apo  mish lopekolumbiane, pa lejen apo autorizimin e veçantë të drejtorit të  thertores sonë të madhe.

Oh, më falni, të Republikës së Shqipërisë, të rilindur thertore moderne e  me filetim total, special dhe natyrisht, me paketim me vakum, sipas  teknikës më të fundit…

/Ora News.tv/