Kronikë bardhezi në përcjellje të Rikard Ljarjes!...

Kronikë bardhezi në përcjellje të Rikard Ljarjes!...

Po ta marr borxh titullit e njërit prej librave që më pate dhuruar i dashur Rikard, për t’u mbështetur në ty se nuk gjej dot mal tjetër ku ta peshoj dhimbjen.

Kronikë bardhezi në zinë e bardhë të ikjes tënde, shenjtërisht të fisme e pamatshëm të dhimbshme!

Sepse ti kurrësesi nuk mund të ikje ndryshe!

Gjithë jetën tënde e jetove fisshëm, duke na dhënë Rikardin që kush nuk do të donte t’i ngjante.

Na dhe Rikardin; njeriun e virtytshëm dhe aktorin e papërsëritshëm, bashkëshortin dhe prindin gjithë dashuri, na dhe regjisorin e guximshëm e gjurmëshënjues në filmin shqiptar.
Por, në të njejtën përmasë na dhe edhe Rikardin muzikant, instrumentist të talentuar, piktor dhe shkrimtar të përjetimeve realiste, i cili bujarisht na e fali të gjithë botën e vet me aq art dhe elegancë zotnie, me aq shpirt dhe shenjtëri frymëzimi, si dëshmi e një përmase të epërme e krejt të veçantë të madhështisë tënde.
Të madhështisë tënde të fisme e të pazhurmë...

Na dhe gjithçka. Pa na kërkuar asgjë.
Ndaj sot, në ditën e përcjelljes, të falem nderit me mirënjohje për gjithçka bëre e na dhe, si pakkush!

Dhe ike mirësisht i bardhë dhe madhërisht i paqtë në këtë ditë zi dhe pikëllimë Rikard Ljarja!

Ike në amëshim...

Të ndrittë shpirti
mik, shok, vëlla!

 
 

EMISIONET