Mospjesmarrja në kupat e Europës dhe kriza që po kalon skuadra e Interit në sezonin e fundit, mund të shoqërohet me largime të disa yjeve të skuadrës. Përveç portierit Handanoviç, i cili ka qenë një nga më të mirët e këtij sezoni dhe që pritet të kalojë në radhët e Barcelonës, një tjetër emër i madh i skuadrës zikaltër mund ti japë lamtumirën skuadrës në merkaton e verës. Bëhet fjalë për mesfushorin kolumbian Fredi Gaurin, i cili nuk ndihet mirë te një skuadër që do të luftojë sezonin e ardhshëm vetëm për kampionat dhe Kupën e Italisë. Për ish mesfushorin e Portos, që cilësohet si një nga më të fortët e këtij reparti, interesohet skuadra e Totenham dhe veçanërisht trajneri i kësaj skuadre, Andre Vilas Boas. Sipas mediave angleze, bëhet e ditur se drejtuesit e klubit të Spërsave kërkojnë ti bëjnë një dhuratë trajnerit të tyre nëse ky i fundit arrinë që ta dërgojë ekipin në Chempions Ligë sezonin e ardhshëm. Për të arritur këtë objektiv, Totenham duhet të rivalizojnë me Arsenal deri në sekondat e fundit. Nëse në fund arrihet ky objektiv, atëherë Guarin shihet si përforcimi i radhës për londinezët që kërkojnë një përfaqësim dinjitoz në kupat e Europës. Sipas shtypit britanik bëhet e ditur se drejtuesit e skuadrës kanë përgatitur një ofertë për mesfushorin e zikaltërve që kap shifrën e 20 milion stërlinave. Një shumë e kënaqshme kjo që mund të bëjë shumë punë në radhët e skuadrës së Moratit. Tani mbetet për tu parë nëse Totenham do të kualifikohet për në Chempions për të mësuar pastaj ofertën zyrtare të drejtuesve të Totenham në drejtim të zikaltërve.  

/Ora News.tv/