Kriza e spitaleve në Francë, qeveria merr përsipër 10 mld euro borxhe

Kriza e spitaleve në Francë, qeveria merr përsipër 10 mld

Sistemi spitalor publik i Francës konsiderohet një nga më të mirët në botë, por prej vitesh po vuan nga kriza e borxheve. Kryeministri i vendit prezantoi disa masa urgjente për t'i ardhur në ndihmë qendrave shëndetësore dhe stafit të tyre që janë ngritur në protesta mujore prej fillimvitit.

Qeveria franceze do të marrë përsipër 10 miliardë euro borxhe të spitaleve publike për të ndalur protestat disamujore të doktorëve dhe infermierëve.

Kryeministri Eduard Filip premtoi të mërkurën financime urgjente dhe deri 800 euro bonus të përheshëm vjetor për 40 mijë infermierët e vendit që fitojnë deri 1,900 euro në muaj.

"Buxheti ynë për sektorin spitalor do të rritet me 1,5 miliardë dollarë në tri vitet e ardhshme, që do lejojë spitalet të ulin deficitet dhe të modernizohen. Ne e kemi dëgjuar zemërimin, lodhjen dhe pafuqinë tuaj me situatën, ndaj po marrim përsipër e borxhet," deklaroi kryeministri Filip.

Edhe pse me një buxhet vjetor mbi 11 për qind e prodhimit kombëtar, spitalet publike franceze kanë akumuluar miliarda euro borxhe të këqija nga pacientët, që kanë mbyllur qindra shtretër dhe salla operacioni.

Mbingarkesa dhe pagat e ulëta po ashtu kanë detyruar largimin e stafit drejt sektorit privat.

Këto zhvillime në muajin mars nxorën në greva doktorët dhe infermierët e Parisit, të cilët ankoheshin se pacientët e moshuar po pritnin deri në 72 orë në korridore nga mungesa e shtretërve.

Presidenti Emanuel Makron thotë se problematikat janë trashëguar dhe plani i ri i qeverisë do të përmbushë disa kërkesa kryesore të protestuesve.



EMISIONET