Përballja me mungesa karburanti në treg ka rritur çmimet në Venezuelë. Çmimi për litër i benzinës arrin deri katër dollarë teksa më parë ofrohej thuajse falas falë subvencioneve nga shteti.

Në kohën kur çmimet e naftës në bursa kanë prekur rekordet historike, në Venezuelë qytetarët po e paguajnë gjithnjë e më shumë karburantin.

Në kryeqytet, doktorët dhe policët dalin në radhë që nga ora 3 e mëngjesit për të blerë produktin e subvencionuar nga shteti në pikat e karburantit.

Ata mund të sigurojnë pak litra benzinë pas disa orëve në pritje, por shpesh sasia nuk mjafton dhe raportohet se edhe ambulancat ndalojnë ndonjëherë anës rrugës nga mungesa e karburantit.

Për konsumatorët e thjeshtë, ndërkohë, pritjet për naftë e benzinë mund të zgjatin me ditë, çka ka lulëzuar shitja e karburanteve në të zezë.

Banorët e Karakasit, të kryeqytetit venezuelas, thonë se pak vite më parë paguanin disa dhjetëra qindarka për litër, tani në disa zona çmimi ka arritur deri 4 dollarë litri.

"Kaosi po shtohet përditë. Në tregun e zi, benzina shitet me 1 deri 2 dollarë litri. Ç'është më e keqja, qeveria nuk do t'i japë zgjidhje problemit."

"Karburantin na duhet ta blejmë në mënyrë klandestine. Nëse kapemi duke e blerë ilegalisht, përfundojmë në burg, por për ne është domosdoshmëri."

Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë, por vitet e fundit korrupsioni, keqmenaxhimi dhe mosfunksionimi i rafinerive janë faktorët që po ndikojnë në krizën e karburanteve.

Dollarizimi i ekonomisë, rritja e kriminalitetit por edhe problemi me importet për shkak të sanksioneve amerikane e kanë përkeqësuar më tej situatën.

Ndërkaq, në tregjet ndërkombëtare, të hënën u ul sërish çmimi i naftës bruto i standardit amerikan dhe europian, përkatësisht në 14 dhe 20 dollarë fuçia, pasi vazhdojnë dyshimet për mungesa kapaciteti depozitimi si pasojë e teprisë që ka krijuar pandemia e koronavirusit, ndërsa kërkesa mbetet e ulët.

Sipas autoriteteve, çmimi i karburantit në SHBA javën e kaluar zbriti mesatarisht në 0,48 dollarë për litër.

/Ora News.tv/