Çmimet e naftës në bursa vijojnë rënien e ndjeshme nga frika e zgjatjes së pandemisë por edhe ndrojës se po shterojnë kapacitetet depozituese. Gjigandi britanik i energjisë raporton fitim neto 67 për qind më të ulët në tremujorin e parë.

Kriza e koronavirusit ka zhdukur një të tretën e kërkesës për naftë në botë, ndërsa çmimet e arit të zi në bursa vijojnë rënien e pandalshme.

Pasi zbriti një ditë më parë me 25 për qind, vlera e naftës bruto amerikane u ul 20 për qind të tjera të martën në çmimin 10 dollarë për fuçi, nga mbi 60 dollarë që arrinte vlera në fillimin e vitit apo katërfishi më ulët sesa në fillimin e muajit prill.

Rënies nuk i rezistoi në orët e mëngjesit as nafta e standardit europian, Brent, e cila zbriti poshtë 20 dollarëve për fuçi, nga vlera maksimale prej 70 dollarë e arritur këtë vit në muajin janar.

Tregjet financiare të naftës vijojnë lëkundjet e forta prej javësh për arsye të frikës se Amerika nuk ka hapësira të nevojshme depozituese për të mbledhur sasinë shtesë të naftës që ka krijuar kërkesa e ulët për shkak të masave të ndalimqarkullimit.

Javën e kaluar, nafta bruto amerikane kaloi në vlerë negative deri në minus 37 dollarë për fuçi, që efektivisht detyroi tregtarët amerikanë të paguanin investitorët në mënyrë që t'u hiqnin sasinë e tepërt nga depot.

Por kriza e naftës nuk është e kufizuar vetëm përtej Atlantikut, pasi edhe gjigandi britanik, British Petroleum, raportoi të martën humbje të thella për tremujorin e parë të vitit, minus 67 për qind të fitimit neto krahasuar me vitin e kaluar.

Ekspertët vendës presin që çmimet e naftës bruto do të rikthehen në vlerat 40 deri 50 dollarë fuçia sapo të stabilizohen ekonomia globale, konsumi dhe kapacitetet depozituese të arit të zi në botë.

/Ora News.tv/