Beteja me COVID-19 fatkeqësisht ”theu” edhe shkrimtarin, publicistin dhe gazetarin e njohur kilian Luis Sepúlveda.

Teksa ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta, presidenti Meta thotë se Luis Sepúlveda frymëzoi popullin e tij me qëndresën heroike dhe kurajon intelektuale për rivendosjen e demokracisë.

Meta: I pathyeshëm nga diktatura, burgjet dhe internimet e grushtit të shtetit kundër demokracisë nga diktatori Pinoçet, ky shkrimtar dhe publicist kurajoz frymëzoi popullin e tij me qëndresën heroike dhe kurajon intelektuale për rivendosjen e demokracisë.

Autor i shumë veprave të njohura si “Historia e një pulëbardhe dhe e maçokut që e mësoi të fluturonte”, "Bota në fund të botës" apo "Trëndafilat e Atacama", Luis Sepúlveda do të mbahet mend edhe për thënien e tij: "Krimi më i madh është harresa e krimeve të Diktaturës".

Shkrimtari Luis Sepúlveda (Ovalle, Kili, 1949) ka vdekur këtë të enjte në Spitalin Qendror Universitar të Asturias (Oviedo), siç konfirmohet nga burime familjare.

Edhe gruaja e tij, poetja Carmen Yáñez, gjithashtu është shtruar në spital pasi rezultoi pozitive me koronavirus.

Sepúlveda ishte një nga rastet e para të të infektuarëve me koronavirusi në Spanjë. Në fakt, ai ishte i pari i prekur në Asturias, qyteti ku ai jetoi. Pas një muaj e gjysmë përpjekjeje, romancieri kilian ka vdekur në moshën 70 vjeç.




/Ora News.tv/