Nga Lezha, zëvendëspresidenti i Urdhrit të Infermierëve njoftoi krijimin e sindikatës së këtij profesioni. Sipas tij, ky organizëm do të bëjë të mundur mbrojtjen e të drejtave të infermierëve.

Infermierët shqiptarë do të kenë sindikatën e tyre. Krijimin e këtij organizmi e njoftoi nga Lezha zëvendëspresidenti i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi.

Sabri Skënderi: 2020 duhet të na gjejë jo vetëm me urdhër profesional të konsoliduar por edhe shoqatë dhe sindikatë të konsoliduar. Këto nuk i zënë vendin njëra-tjetrës, të treja bashkë mund të bëhen një zë i fuqishëm.

Mungesa e kushteve dhe sigurisë në punë si dhe pagat e ulta ishin disa prej shqetësimeve që ngriti Shoqata e Infermierëve në një takim me personelin mjekësor.

Deputetja e Partisë Socialiste, Ardjana Jaku, tha se ndryshimet në Kodin Penal do të ofrojnë shumë siguri për infermierët.

Sipas Urdhrit të Infermierëve përgjatë 9 muajve të këtij viti janë larguar nga Shqipëria rreth 550 infermierë.



/Ora News.tv/