Qeveria ka vendosur ngritjen e dy drejtorive të reja, atë të Thesarit dhe drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë.

Për sa i përket krijimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, qeveria sqaron se do të jetë nën varësi të ministrit të Financave me seli sigurisht në Tiranë. Kjo drejtori ka për mision sigurimin dhe realizimin e shërbimeve operacionale për qeverisjen e përgjithshme, që garanton paranë e gatshme për kryerjen e transaksioneve të pagesave.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit ka këto funksione dhe përgjegjësi kryesore:

a) Menaxhimin e mjeteve monetare për kryerjen e pagesave brenda kufijve të limitit të cash-it;

b) Kryerjen e pagesave në mënyrë të centralizuar dhe administrimin funksional të sistemit informatik financiar të qeverisë, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, për procesin e ekzekutimit të buxhetit të shtetit dhe të raportimit financiar;

c) Regjistrimin, kontrollin, kontabilizimin dhe përpunimin e informacionit të transaksioneve të qeverisjes së përgjithshme;

ç) Llogaritjen e vlerës për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë në mënyrë proporcionale dhe sipas radhës së numrit të pagesave;

d) Menaxhimin e procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar të ish- të dënuarve politikë me transparencë dhe në kohë;

dh) Hartimin e akteve nënligjore, të cilat prekin fushën e përgjegjësisë së institucionit dhe i propozohen ministrit përgjegjës për financat.

7. Detyrat kryesore të degëve të thesarit janë:

a) Përmirësimi i kontrollit financiar;

b) Regjistrimi, dokumentimi, rakordimi dhe raportimi i realizimit të treguesve buxhetorë dhe i pasqyrave financiare të njësive shpenzuese të qeverisjes së përgjithshme;

c) Përmirësimi i menaxhimit të likuiditetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit, shoqëruar me krijimin e zyrave në nivel vendor.

Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të këtyre drejtorive rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

 Por çfarë do të ndodhë me strukturën aktuale?

Qeveria thotë në vendim se deri në krijimin e drejtorisë së re do të vazhdojë funksionin struktura aktuale.

"Ministri përgjegjës për financat, brenda një muaji, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatit dhe propozon strukturën dhe organikën e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", thuhet në pikën 16 të vendimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Financave dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së

Për sa i përket drejtorisë së dytë, Drejtoria e Përgjithshme e Financave dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë, thuhet se ajo ka për synim menaxhimin efektiv financiare dhe teknik për projektet e miratuara.

Kjo drejtori ka 6 funksione, si më poshtë:

a) Kryerjen e procedurave të prokurimit dhe të kontraktimit të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

b) Mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave të nënshkruara në kuadër të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

c) Menaxhimin financiar, regjistrimin e transaksioneve në sistemin e kontabilitetit si dhe kryerjen e pagesave për kontratat e lidhura për projektet e miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

ç) Realizimin e kontrollit dhe të certifikimit të shpenzimeve të kryera nga partnerët shqiptarë gjatë zbatimit të projekteve të bashkëpunimit rajonal dhe ndërterritorial, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e financimit;

d) Kryerjen e kontrolleve në vend pranë institucioneve përfituese të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, për të siguruar zbatimin efektiv dhe në kohë të projekteve nga strukturat IPA;

dh) Ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme për institucionet përfituese lidhur me proceset e prokurimit dhe të monitorimit të zbatimit të kontratave e të projekteve sipas rregullave të donatorëve.

Edhe kjo drejtori e shtrin veprimtarinë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe do të jetë nën varësi të ministrit të Financave.

Përveç drejtorit, do të ketë edhe një post zëvendësdrejtori.

Çfarë do të ndodhë me punonjësit aktual?

Qeveria thotë në vendim  se ata do të trajtohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil.  

Dy vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/Ora News.tv/