Shërohet edhe pacienti i parë nga COVID-19 në Kosovë i cili ka rezultuar negativ në testet e bëra ditën e sotme.

Është vetë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, që e bën me dije nëpërmjet një postimi në Facebook.

Brenda 24 orëve në Kosovë janë regjistruar dhe 8 raste të reja të personave me COVID-19 nga 89 teste që u zhvilluan.

“Rastet e konfirmuara pozitive janë 4 raste kontakti me vendbanim në Studime të ulët Vushtrri, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast kontakti me vendbanim në Llugagji-Pejë”, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë,

Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 89 persona nga të cilet 8 kanë rezultuar pozitiv.

Megjithatë më në fund e kemi lajmin e mirë. Njëri nga pacientët edhe pas testimit të dytë ka dalur NEGATIV. Sipas rekomandimeve të OBSh kur kemi dy mostra negative të një personi me një ditē distancë kohore, tregojnë shërimin nga COVID-19.

Zyrtarisht kemi personin e parë të shëruar nga COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Faleminderit personelit shëndetësor në Klinikën Infektive dhe të gjithë mantilbardhëve në institucionet shëndetësore në Kosovë.

T’i ndihmojmë personelit shëndetësor

QËNDRONI NË SHTËPI!

MBANI DISTANCË ME NJËRI TJETRIN PËR 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!

 

/Ora News.tv/