Kërkesa e disa zyrtarëve serbë për të hyrë në territorin e Kosovës, është refuzuar nga Qeveria e vendit. Drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë Serbe Marko Gjuriç, së bashku me Ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin, si dhe dy zyrtarë të tjerë ishin parashikuar të zhvillonin takime me qytetarët serbë në veri të Kosovës, por ata nuk janë lejuar të kalojnë kufirin, pasi prezenca e tyre mund të tensionojë situatën.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në vend të disa zyrtarëve serbë. Drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, sekretari i përgjithshëm i presidentit Nikola Selakoviç dhe Ministri i Kulturës Vlladan Vukosavleviç ishin parashikuar të zhvillonin takime me popullsinë serbe në Mitrovicë, ku ata do të merrnin pjesë në një panel me temën “Gjendja e serbëve në Kosovë”.

Kërkesa e tyre u refuzua nga Ministria e Jashtme e Kosovës, për shkak të deklaratave dhe pozicioneve që ata mbajnë, të cilat mund të nxisin tensionim të situatës.

Edhe Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin do të udhëtonte drejt Mitrovicës për të vizituar familjen Vuçetiç, me të cilët ai takohet çdo vit që prej 2013.

Sipas mediave serbe, në shtëpinë e kësaj familjeje kohë më parë ka shpërthyer një bombë e cila ka lënduar fëmijët.

Edhe ministrit Vulin i është refuzuar kërkesa për të hyrë në Kosovë, për të njëjtat aryse si për Gjuriç, Selakoviç e Vukosavleviç.

Forca të shumta policore janë vendosur në veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë për të mos lejuar hyrjen në vend të zyrtarëve serbë.

Përmes një njoftimi të Policisë, bëhet me dije se kjo prezencë nuk ka qëllim tjetër veç zbatimit të vendimit të qeverisë, ndaj dhe qytetarët luten të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë angazhim të forcave policore.

/Ora News.tv/