Autoritetet në Kosovë thanë se janë vënë në përpjekje për të gjetur trupat e dy pjesëtarëve të policisë, që llogariten të zhdukur që nga e mbrëma e së shtunës.

Autoritetet thanë se të dy policët po udhëtonin me një makinë zyrtare në rrugën që ligje dy komunat juglindore të Kosovës, Kaçanikun me Hanin e Elezit, rreth 60 kilometra larg Prishtinës. Makina ishte rrokullisur për shkaqe ende të panjohura duke rënë në lumin Lepenc që përshkon zonën .

Njësitë e policisë së Kosovës, njësitet e zjarrfikëseve, ekipet mjekësor dhe njësitë e Forcës së Sigurisë janë përfshirë në operacionin e kërkimit.

Të dielën pasdite u tha se edhe pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të NATO-s po mbështesin operacionin i cili po bashkërendohet me autoritetet e Maqedonisë fqinje, meqë dyshohet se trupat mund të jenë bartur nga lumi që kalon nëpër Maqedoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj përmes postimeve në rrjetet sociale e cilësuan lajm shumë pikëllues zhdukjen e dy pjesëtarëve të policisë./VOA/


/Ora News.tv/