Ekzekutivi i vendit është i gatshëm për hapjen e zyrës ndërlidhëse në Beograd edhe pse ende nuk ka ndonjë emër konkret se kush do të udhëheqë në të, por gjithashtu ka dhënë garancitë edhe për hapjen e zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Hapja e këtyre zyrave, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë që njohja reciproke mes dy vendeve do të ndodhë me arritjen e një traktati të paqes. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të premten, numri dy i ekzekutivit të vendit, Kuçi ka thënë se ekzekutivi i vendit është i gatshëm për hapjen e zyrave ndërlidhëse. "Qëllimi i Qeverisë së Kosovës në radhë ta parë është implementimi i marrëveshjeve të arritura, pastaj kjo që është strukturat e sigurisë, strukturave ilegale në pjesën veriore të vendit. Qeveria e Kosovës është e gatshme që të hap zyrën e vet në Beograd si zyrë ndërlidhëse të një shteti në një shtet tjetër. Të njëjtën gjë është e gatshme të bëjë edhe për Serbinë në Prishtinë. Të gjitha aspektet, sipas Konventës së Vjenës, për marrëdhënie diplomatike të vitit 61 jemi të gatshëm të respektojmë edhe ne besoj edhe ata", ka theksuar Kuçi. I pyetur se a do të thotë kjo një hap drejt njohjes, Kuçi ka thënë se njohja reciproke do të ndodh me arritjen e traktatit të paqes. "Me siguri që është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por njohjet do të jenë me një akt formal në mes të dy qeverive tona që duhet të ndodh dhe që unë mund t'i quaj të domosdoshme që të arrihet traktati i paqes", ka deklaruar ai. Por Qeveria e Kosovës ende nuk ka menduar për ndonjë emër konkret, por sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, do të jetë një person i cili do të përfaqëson interesat nacional të Kosovës, kudo qoftë ai. Për më tepër, ai ka shtuar së një ndër temat e bisedimeve do të jetë edhe mospengimi i Serbisë për Kosovën dhe anasjelltas në institucionet ndërkombëtare. "Një ndër temat që duhet të diskutohen në këtë raport është përfaqësimi i Kosovës dhe anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtar dhe garanca që do të marrim për njëri tjetrin edhe Kosovës për Serbinë edhe Serbisë për Kosovën të mos e bllokojmë njëri tjetrin për të fituar një mbështetje për anëtarësim në BE. Natyrisht për njohjen paraprake të pesë shteteve dhe për zhbllokim të Këshillit të Sigurimit në OKB. Ju e dini që këto dyja kanë qenë arsyet kryesore pse ne kemi marr vendim për të hyrë në dialog", ka theksuar zëvendëskryeministri. Kuçi ka shtuar se është biseduar me partitë politike që e kanë mbështetur dialogun, por, siç ka thënë ai, dje i është bërë ftesë publike edhe të tjerave që nuk e mbështesin dialogun edhe ekspertëve edhe shoqërisë civile që për temat e caktuara të japin kontributin e duhur. Sipas tij, përveç nivelit politik dhe autorizimit që ka Qeveria e Kosovës janë edhe komisionet përkatëse që përmenden në Rezolutë të Kuvendit, e të cilat do ta kryejnë rolin e vet. Ndërkohë, në lidhje me paralajmërimin e protestës për ditën e nesërme, ku pritet të marr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, Kuçi ka thënë se nuk është mirë që sa herë të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë të ketë konfrontime të brendshme. "Nuk kisha dashur që të ndodh një gjë e tillë. I kuptojmë edhe reagimet e qytetarëve dhe të Vetëvendosjes. Natyrisht ne dëshirojmë që këto reagime të jenë në atë fazë. Të kuptohen si presion publik mbi neve, presion pozitiv po e quaj ashtu që ne të jemi më të përgjegjshëm më të vëmendshëm në dialogun që e bëjmë me Serbinë. Por në çdo rast, dialogu Kosovë-Serbi nuk është arsye që ne të jemi të konfrontuar brenda për brenda por një arsye që të koordinohemi për kohezion nacional dhe partneritet ndërkombëtar", ka potencuar Kuçi. Ndërkohë, duke folur për veriun e vendit, ai ka thënë se atje ka disa segmente të aspektit të sigurisë në radhë të parë të rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik dhe legjitimitetit demokratik. Por, sipas tij, atje duhet të ketë aktivitet të shtuar të Qeverisë së Kosovës, qytetarëve lokal atje, pastaj institucioneve ndërkombëtare, KFOR-i dhe EULEX-i, por edhe presioni që do të vijë nga Washingtoni dhe Brukseli mbi Beogradin zyrtar për t'i tërhequr strukturat ilegale në atë pjesë. Ndërkaq në insistimin e gazetarëve për të marr një qëndrim rreth deklaratave të zëvendëskryeministrit Pacolli për Agjencionin Kundër Korrupsion, Kuçi ka thënë se ky institucion mund të bëjë punën e tij ashtu sikurse në bazë të ligjit. "Qeveria ka bërë krejt çka ka qenë e mundur që Agjencionit Kundër Korrupsion t'i mundësoj punën e lirë, të pavarur profesionale dhe në mënyrë të përgjegjshme, në atë drejtim ajo i ka mbështetjen ajo i ka kompetencat e vet ligjore duke i shfrytëzuar dhe do të i shfrytëzon", ka theksuar ai.

/Ora News.tv/