Kosovë, AAK-PSD drejt koalicionit parazgjedhor

Kosovë, AAK-PSD drejt koalicionit parazgjedhor

Partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe socialdemokratët e Shpend Ahmetit po bëhen gati për një koalicion për zgjedhjet e vjeshtës.

Mediet në Prishtinë raportojnë se palët mund të qartësojnë marrëveshjen ditën e hënë, dhe se mund të jenë dakordësuar për pikat programore.

Në një intervistë per "Radion Europa e Lirë", Ahmeti tha të shtunën se për PSD, ka rëndësi që koalicioni i ardhshëm të fokusohet te lufta kundër korrupsionit, duke huazuar edhe nga procesi i vetingut në Shqipëri.

"Ne kërkojmë procesin e vettingut, një lloj vettingu për sistemin gjyqësor, sistemin policor, për politikanët, që në të ardhmen të kemi një shtet më funksional. Natyrisht e kërkojmë pjesën e zhvillimit ekonomik, por edhe mbrojtjen sociale, të drejtat e punëtorëve, pensionistëve," theksoi Ahmeti.

Sipas tij, këto objektiva nuk ka ndër mend t'i arrijë në koalicion me demokratët e Kadri Veselit apo me "Lëvizjen Vetëvendosja" të Albin Kurtit.

Luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit e veçon si sfidë të ardhshme edhe vetë Veseli.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, shefi i PDK-së tregoi të shtunën se do të ishte kryeministri ideal dhe më i respektuar nga partnerët e huaj, ndryshe nga kolegu i tij Haradinaj.

"Kosovës i duhet një Kryeministër që është i mirëpritur dhe i respektuar në Shtëpi të Bardhë dhe Bruksel. Një kryeministër që do t'i thellojë marrëdhëniet me aleatët dhe jo dikush që i dëmton ato," deklaroi Veseli në një intervistë dhënë gazetës "Zëri".

Ndërkohë edhe partitë LDK dhe Vetëvendosje po bashkërendojnë aksionin e tyre opozitar përpara seancës së 22 gushtit për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës.

Dy grupimet nuk kanë bërë të ditur a do të garojnë si koalicion në zgjedhjet e vjeshtës, por kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, u shpreh për mediet vendase se  nëse aleanca vihet në jetë, LDK-së si partia më e madhe do i takonte posti i kryeministrit.

EMISIONET