Biznesi Kosovar e mirpret vendosjen e taksës 100% për produktet serbe. Astrit Panxha shprehet se ky moment mund të përdoret për rritjen e mardhënieve tregtare me Shqipërinë të cilat tashmë janë në minimum. Përfaqësues të biznesit Kosovar,Shqiptar dhe Maqedonas i bënë thirrje qeverive që të reagojnë sa më parë dhe të eleminojnë barrierat tregtare midis vendeve.

Tirane-Vendosja e bllokadës kosovare ndaj produketeve serbe nuk shihet më shqetësim nga biznesi i Kosovës. Astrit Panxha drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës deklaron se ky është një vendim i drejtë.

Astrit Panxha: Prodhuesit e Kosovës e kanë jashtëzakonisht të vështirë të depërtojnë në tregun e Serbisë. Ndërsa prodhuesit e Serbisë e kanë pasur të lehtë të depërtojnë në tregun e Kosovës. Do të thotë që eksportet e Serbisë në Kosovë ishin 450 mln euro në vit, ndërsa eksportet e Kosovës në Serbi janë rreth 40 mln euro në vit.

Ai shprehet se situata duhet shrytëzuar për të rritur marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë. Por për këtë kërkon heqjen e një sërë barrierash tregtare.

Astrit Panxha: Kërkesa jonë e parë është heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë. Heqja e pagesës për terminalet doganore në Kosovë. Njohja e çertifikimeve dhe analizave fitosanitare. Përshpejtimi i procedurave doganore në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar. 

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës bën me dije se pavarësiht mbledhje të shumta deri më tani nuk është zbatuar asnjë marrëveshje.

Nikolin Jaka: Ju jeni të vetëdijshëm që janë bërë mbi 3-4 mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë. Në fundore nuk kemi asnjë rezultat konkret që shkon në shërbimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Kosovë.

Nagip Fejzi përfaqësuesi i biznesit të Maqedonisë i bëri apel qeverive të reagojnë sa më parë.

Nagip Fejzi: Shpejt do të kenë një përgjigje shumë të fuqishme, sepse duhet të shohin çfarë na ndodh ne në rajon nga mospërfillja e politikës ndaj bizneseve.

Aktualisht marrdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës janë 200 mln euro në vit dhe vlerësohen se janë minimumin ndërsa kapacitetet janë deri në 500 mln euro.

/Ora News.tv/