Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, ka njoftuar se e ka lejuar qarkullimin e autobusëve  shqiptarë transit përmes Kosovës, të ndaluar në pikën kufitare Morinë.

Sipas njoftimit, ky vendim vjen pas kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës së Shqipërisë, përmes ambasadës së tyre në Kosovë.

“Me qëllim të evitimit të problemeve që mund t’u shkaktohen qytetarëve, të cilët e kanë më të lehtë të udhëtojnë përmes Kosovës, nga Tirana për në Bajram Curr dhe anasajelltas, MIT ka pezulluar vendimin për ndalim të dy operatorëve nga Shqipëria, deri të mërkurën”, thuhet në njoftim.

Ata thonë se presin nga autoritetet e Shqipërisë, por edhe nga këto kompani, që t’u përmbahen lejes së tyre vetëm për udhëtim transit nëpër Kosovë, dhe jo ndalesë nëpër stacione për të marrë udhëtarë.

“Për këto shkelje të vazhdueshme, kemi pranuar ankesa nga operatorët vendas, të cilëve u janë shkaktuar dëme dhe të njëjtat janë prezantuar para institucioneve relevante të Shqipërisë. Për të këtë çështje, do të diskutohet në një takim mes komisioneve teknike të të dyja vendeve, të mërkurën.”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

/Ora News.tv/