Organizata Botërore e Punës paralajmëron se pandemia e koronavirusit do të shkatërrojë 195 milionë vende pune. Agjencia e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se 1.25 miliardë punëtorë, janë të punësuar në sektorë të prekur rëndë nga kriza, nga sektori i shitjeve me pakicë, deri tek hoteleria dhe shërbimet ushqimore. Vetëm në ShBA, ekspertët presin që papunësia të rritet mbi 10%. 

Kriza që po shkakton koroanvirusi në mbarë botën do të shkurtojë kohën e punës në mbarë botën me rreth 7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2020, një efekt “katastrofik” që është ekuivalenti i humbjes së 195 milionë vendeve të punës, paralajmëroi Organizata Botërore e Punës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se 1.25 miliardë punëtorë, rreth dy të pestat e 3.3 miliardë punëtorëve në mbarë botën, janë të punësuar në sektorë të prekur rëndë nga kriza, nga sektori i shitjeve me pakicë, shitja e pasurive të paluajtshme, prodhimi, hoteleria dhe shërbimet ushqimore.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Guy Ryder, paralajmëroi se si “punëtorët ashtu dhe biznesi, do të ndeshem me katastrofën, si në vendet e zhvilluara ashtu dhe në ato në zhvillim.”

"Besoj, tani jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se në rrethanat e tanishme, pandemia do të ketë pasoja shumë serioze për gjendjen e punës nëpër botë, ku katër në çdo pesë punëtorë jetojnë në vende ku po zbatohet izolim i pjesshëm ose i plotë për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit," thotë Ryder.

Shkalla dhe shpejtësia e humbjes së punës në ekonomitë e zhvilluara i zuri në befasi politikëbërësit. Të paktën dhjetë milionë vetë kanë aplikuar për pagesën e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy javët e fundit të marsi, dhe shumë ekspertë të ekonomisë presin që papunësia në ShBA të rritet mbi 10 për qind.

Një shkallë e ngjashme papunësie po godet tani edhe Europën, por ndryshe nga ShBA-ja këtu shumë punëtorë mund të përfitojnë nga skemat subvencionuese të qeverive që janë hartuar për t’i bërë ballë një gjendje afatgjatë papunësie.

/Ora News.tv/