Do i merrnin 500 euro secilit, kapen dy taksistë klandestinësh me 15 emigrantë në Korçë

Do i merrnin 500 euro secilit, kapen dy taksistë klandestinësh me 15

Dy të ashtuquajtur taksistë klandestinësh u kapën nga Policia e Korçës.

Marjus Metra,19 vjeç, dhe Panajot Gjoni, 45 vjeç u arrestuan duke transportuar 15 emigrantë të paligjshëm në aksin Bilisht-Pogradec.

Kundrejt pagesës prej 500 euro për person, ata u kishin premtuar shtetasve nga vendet në konflikt se do ti kalonin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Por policia e Korçës thotë se kishte marrë informacion për këtë veprimtari të paligjshme, ndaj i priste dy taksistët e klandestinëve në aksin Bilisht-Pogradec.

Marjus Metra u kap duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 12 shtetas të huaj, ndërsa Panajot Gjoni kishte në një veturë 3 klandestinë.

Pasi u vu në pranga, ky i fundit rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Vera dhe vjeshta shënoi një fluks të shtuar emigrantëve klandestinë që kanë tentuar të kalojnë drejt vendeve të BE përmes Shqipërisë.

Vetëm për muajin tetor sipas burimeve pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit janë kapur mbi 1000 refugjatë që kanë hyrë nga Greqia.

Ndërsa në 10 ditët e para të nëntorit, shifra shkon mbi 400.

Këto shifra tregojnë vetëm ata që janë kapur nga forcat e policisë në bashkëpunim me FRONTEX që është vendosur në kufi.

Pjesa më e madhe sipas burimeve janë irakianë ose nga vende të tjera në konflikt në Lindjen e Mesme.

Tregues i fluksit në rritje ishte edhe qendra e pritjes e ngritur pranë Pikës Kufitare të Kapshticës.

Ndërsa shumë të tjerë arrijnë ti shpëtojnë rrjetës në kufi dhe kërkojnë ndihmën e grupeve apo personave të caktuar që kundrejt pagesës marrin përsipër ti nxjerrin në kufi me Malin e Zi.

Të tillë ishin edhe 15 klandestinët e kapur sot gjatë aksionit që çoi në pranga dy taksistët e refugjatëve.

EMISIONET