Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora zgjidhi me sukses një tjetër rast të denoncuar pranë tij.

Qytetari Rustem Haxhiu nga Burreli ka dashur të vetësigurohej si bujk privat duke bërë pagesa në dy vite të ndryshme nëpërmjet Inspektorit të Bujkut që në atë kohë punonte në Agjencinë e Burrelit.

Një pagesë është bërë në vitin 1999, për periudhën 1993/1999 dhe pagesa tjetër në vitin 2007 për periudhën 2000/2007. Për shkak të përgatitjes së dokumentacionit për efekt pensioni, Rustemit i vihet në dispozicion nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Dibër një vërtetim ku në përmbajtje të tij i përfshihej vetëm periudha 93/99.

Për vitin 2000 i citohej se në atë numër mandati  rezulton emri i një personi tjetër ndërsa për periudhën 2001/2007, z.Rustem nuk iu dha asnjë sqarim.

Denoncuesi: Jam Rustem Haxhiu nga Burreli. Në vitin 1993 me ligjin e sigurimit si bujk privat kam derdhur kontribute për vitin 1993/2007. Për shkak të përgatitjes së dokumentacionit për pension u njoha me një problem që mu vu në dispozicion nëpërmjet një vërtetimi lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Dibër, ku më citohej se figuronin si pagesa vetëm vitet nga 1993 deri në 1999 dhe viti 2000 dilte dikush tjetër në numrin e mandat pagesës time. Ndërsa vitet e tjera nuk figuronin fare. Kam kërkuar të drejtën time dhe nuk e kam zgjidhur këtë problem, prandaj u drejtova  emisionit tuaj për këtë edhe ju falenderoj pasi u vendosët në dispozicion dhe më shoqëruat deri në zyrat e Burrelit.

Gazetarja e emisionit "BOOM" sëbashku me z.Rustem iu drejtuan zyrave të Agjencisë Burrel për të marrë sqarimet nga përgjegjësi i kësaj agjensie.

Gazetarja: Drejtoria na vuri në dispozicion këtë informacion që është këtu dhe nuk ka tjetër. Si do ta zgjidhim?

Përgjegjësi Agjencisë: Ne përgatisim vërtetimin nga inspektori që mbulon zonën, e përgatisim vërtetimin me të dhënat e konfirmojmë nga financa. Sot ka ndryshuar formati i vërtetimit.

Gazetarja: Nuk na duhet letra dhe vërtetimi, ky zotëria ka paguar lekët dhe duam të gjejmë ku janë hedhur këto lekë?

Denoncuesi: Kush është ky që figuron në numrin e mandatit tim?

Përgjegjësi Agjencisë: Në konceptin e ruajtjes së të dhënave konfidenciale, në emrin e personit dhe mandatin e personit që është atje nuk jua japim.

Gazetarja: Po kush e ka bërë këtë? Ju keni qënë drejtues Agjencie në këtë vërtetim, çfarë rëndësie ka viti 2007, ju keni qënë drejtues, si do zgjidhet ky problem?

Përgjegjësi Agjencisë: Në qoftë se gabimisht ka hedhur Inspektori një numër mandati tjetër dhe ky nuk disponon mandate është e drejtë e tij të bëjë ankimim.

Denoncuesi: Mandati është!

Gazetarja: Është numri i mandatit, është edhe emri, edhe firma e Përgjegjësit të Agjencisë, është edhe firma e Inspektorit.

Përgjegjësi Agjencisë: S‘ka rëndësi! Rëndësi ka që në qoftë se ky disponon dokumente me firma dhe me vula.

Gazetarja: Si nuk ka rëndësi? Si mund të hedhësh një firmë si Përgjegjës Agjencie  në një formular që është i pavlerë?

Përgjegjësi Agjencisë: Firma hedh çdo ditë unë! Nuk është detyra ime të verifikoj vërtetimin. Këto i ka ky në rregull, këto o paraqesi!

Pasi gazetarja u largua nga nga zyra e përgjegjësit të Agjencisë z. Rustem qëndroi brenda për të bërë verifikimin e regjistrit dhe indeksit të tij.

Për këtë çështje është prononcuar edhe Specialistja e Financës pranë kësaj Agjencie.

 “Unë jam specialiste finance pranë Agjencisë, verifikoj atë çka pasqyron inspektori I bujkut. Qytetari merr mandatin nga Inspektori i Bujkut dhe shkon e derdhë atë në bankë, pastaj mandatin e bankës e marrim ne. Kur ka ardhur mandati i bankës ka pasur një gabim mbiemri dhe unë nuk mund të vendosë shumën diku tjetër, pas verifikimeve rezulton se Rustemi ka kryer këto pagesa edhe sipas firmës së tij. Ne nuk jemi këtu për ta penguar qytetarin por për ta ndihmuar atë”.

Pasi z.Rustem qëndroi për të bërë verifikimin e regjistrit, Përgjegjësi i Agjencisë arriti të gjejë të gjitha dokumentet që nga viti 93/97 me firma të plotësuar, gjithashtu dhe ato të vitit 2000/2007 figurojnë.

Ai deklaroi se inspektori i asaj kohe doli në pension dhe nuk i kishte dorëzuar regjistrat. Gjithashtu sqaroi se në vitin 2000 banka ka bërë një ngatërresë në mbiemër dhe se për këtë ka përgatitur një vërtetim të posaçëm. Tashmë të gjithë dokumentet janë në rregull.

 Qytetari Rustem Haxhiu falenderoi redaksinë e emisionit "BOOM" dhe RTV Ora për zgjidhjen e problemit të tij.

/Ora News.tv/