LSI dorëzon 3 bashki, në Gjirokastër, Berat dhe Cërrik konstituimi pa probleme

LSI dorëzon 3 bashki, në Gjirokastër, Berat dhe Cërrik

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar 3 bashki pa kundërshtime të PS. Kryetarët e rinj të dalë nga votimet e 30 qershorit kanë marrë detyrën në Gjirokastër, Berat dhe Cërrik.

Tre Bashki nën drejtimin e LSI-së i janë dorëzuar në paqe Partisë Socialiste.

Në Gjirokastër, Berat dhe Cërrik, kryetarët e rinj morën detyrën pa pasur problematika.

Ndryshe nga Kavaja apo Devolli ku mbështetës të PD kanë kundërshtuar hyrjen në zyrë dhe marrjen e detyrës nga kryebashkiakët e rinj të dalë nga votimet  e 30 qershorit, këtë ditë të parë të gushtit, 3 bashkitë janë dorëzuar pa asnjë konflikt.

Në Gjirokastër, procesi i konstituimit të këshillit të ri kaloi në qetësi. Flamur Golemi u betua në krye të bashkisë, ndërsa ra në sy mungesa e ish-kryetares se bashkisë Zamira Rami.

Në Berat është betuar kryetari i ri i bashkisë Berat, Ervin Demo, pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti.

Nga 31 këshilltarë të dalë nga votimet në 30 Qershor,vetëm 29 prej tyre, pjesë e koalicionit socialist kanë bërë betimin, ndërkohë që dy të tjerë pjesë e opozitës nuk kanë bërë sot betimin dhe nuk kanë marrë pjesë në konstituimin e këshillit.

Pas konstituimit të këshillit bashkiak dhe pas zgjedhjes së drejtuesve të tij, kryetarit Ervin Ceca dhe nën/kryetares Elona Hoxha, kryetari i ri i bashkisë Berat ka bërë betimin e tij si kryetar dhe ka premtuar se në mandatin e tij 4-vjeçar do të përmbushë premtimet e bëra gjatë fushatës.

Demo: Zotohem para gjithë qytetarëve të Beratit se ne do të qeverisim për ta, ne do të kemi fokus vetëm qytetarët e kësaj bashkie dhe do të bëjmë çmos që ky qytet të marrë atë ndriçim që meriton.

Edhe në bashkinë e Cërrikut është konstituuar Këshilli Bashkiak. Ky këshill është i përbarë nga 21 anëtarë. Në krye të Këshillit është zgjedhur Arben Ruçi. Ai është zgjedhur me 16 vota, dy vota kanë qenë të pavlefshme ndërsa tre votues nuk kanë marrë pjesë në votim.

Po kështu është betuar edhe kryetari Andi Salla. Salla është betuar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Aleks Buda” në Cërrik për shkak se prefektura nuk i është përgjigjur kërkesës se tij për të bërë betimin. Me tu ulur në karrigen e kryetarit, gjëja e parë që ka rregulluar Salla ka qenë ora e qytetit.


EMISIONET