Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nga Kongresi tha se në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Partia Socialiste duhet të fitojë të 61 bashkitë e vendit.

Taulant Balla: "Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit jo vetëm që duhet të rikonfirmohemi në të gjitha bashkitë ku shqiptarët na kanë dhënë nderin dhe përgjegjësinë për tu shërbyer deri tani, por duhet të jemi fitues dhe të fillojmë ndryshimin edhe në bashkitë që kanë mbetur peng i kundërshtarëve tani. Sot është ndezja e motorëve për të fituar në 61 bashkitë e vendit.

Duhet të adresojmë boshllëkun që na ka lënë në jetën politike të vendit mungesa e një opozite konstruktive, e cila në përgjegjshmëri të plotë politike u mundua të krijojë një ngërç artificial tërësisht të njëanshëm pas braktisjes së mandateve në Kuvend."

Balla tha se Partia Socialiste është e gatshme për çdo lloj dialogu me opozitën. 

Taulant Balla: "Sigurisht që ne i fituam zgjedhjet e vitit 2017 me një rezultat spektakolar, dhe na dha mundësinë të qeverisim vetëm në këto katër vite. Dhe unë dua të them sot në emër të këtij Kongresi se jemi të gatshëm për çdo lloj dialogu parlamentar, politik, shoqëror që mbetet e vetmja zgjidhje dhe i vetmi instrument i promovuar nga të gjitha forcat politike, në favor të vendit dhe qytetarëve."

/Ora News.tv/