Gjatë punimeve të Kongresit Eurosocialist, ku merrnin pjesë kryeministra dhe liderë të socialdemokracisë europiane, deputeti socialist Balla mësohet se është takuar me presidentin e PES Sergei Stanishev, Presidentin e Grupit Socialist dhe Demokrat ne Parlamentin Europian Udo Bullmann dhe  me Zëvendës Presidentin e Komisionit Europian Frans Timmermans.

Lajmi mësohet falë një postimi në facebook që vetë politikani shqiptar ka bërë:

Taulant Balla: “Kongresi Elektoral i Partisë Socialiste Europiane, në cilën ne socialistët shqiptarë jemi anëtarë, i dha sot mbështetjen kandidatit të përbashkët për President të Komisionit Europian Frans Timmermans.”

Nisur nga takimi në këtë Kongres, Balla arrin në konkluzionin se :

Taulant Balla: “Për progresistët europianë ngjarjet e një jave më parë në Tiranë, përdorimi i dhunës kundër institucioneve të shtetit, e nxitur haptazi dhe me forcë nga lidershipi i opozitës, si një metodë për marrjen e pushtetit dhe një përpjekje për delegjitimizimin e proceseve demokratike në Shqipëri është diçka e papranueshme dhe e patolerueshme. Ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve, e jo përmes kërcënimeve, bojkotit apo dorëheqjeve nga mandatet, e kurrësesi përmes përdorimit të çfarëdo forme të dhunës.”

Në Shqipëri kjo krizë artificiale politike e inicijuar nga dy parti të opozitës nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është themelore për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë”, përfundon postimi i Ballës në facebook.

/Ora News.tv/