Konflikti Iran - SHBA sjell luhatje të forta në bursa

Konflikti Iran - SHBA sjell luhatje të forta në bursa

Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po jep ndikimin e vet në tregje, duke çuar në luhatje të forta në bursat ndërkombëtare. Çmimet e arit dhe naftës kanë arritur pikat më të larta prej kohësh për shkak të pasigurive mes investitorëve.

Sulmet e së mërkurës (8 janar) ndaj bazave amerikane nga Irani bënë që të gjitha bursat aziatike dhe ato europiane të hapen negativisht. Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme rritën vlerën e metaleve të çmuara në bursa.

Çmimi i arit arriti të mërkurën nivelin më të lartë të 7 viteve, duke u shitur me 1,610 dollarë për ons.

Argjendi po ashtu u rrit 1,18 për qind nga dita e kaluar duke kapur vlerën 18,4 dollarë për ons dhe platini 5,4 dollarë më shumë apo 971,6 dollarë për ons.

"Njerëzit janë nervozë. Ata shohin lajmet dhe i zë paniku kur mësojnë çfarë mund të ndodhë nga konflikti mes SHBA-së dhe Iranit. Ndaj gjëja e parë që bëjnë është të konvertojnë investimet e tyre në ar, ndaj këto luhatje çmimesh do vazhdojnë," tregon drejtuesi i një sërë argjendarive në Dubai.

Zhvillimet e paparashikueshme në Gjirin Persik po ashtu çuan me 4 për qind vlerën e arit të zi, të naftës bruto, mbi 70 dollarë për fuçi, ndërsa monedha digjitale Bitcoin preku cakun më të lartë të dy muajve, duke u këmbyer 20 për qind më shtrenjtë brenda javës apo me mbi 8,460 dollarë.

Ekonomistët thonë se konflikti ka pak gjasa të përshkallëzohet seriozisht pasi nuk do të ishte në interesin ekonomik të asnjërës palë.

EMISIONET