Konfindustria kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë, që draft-ligji i “Korporatës Shqiptare të Investimeve” për rëndësinë e veçantë të tij, të mos miratohet në seancë plenare, por të kalojë fillimisht në një debat të gjerë publik dhe me grupet e interesit.

Në një deklaratë për mediat, Konfindustria e sheh shqetësues faktin që qeveria shqiptare bëhet e ndjeshme në vendimarrjen e saj ligjore vetëm nga ndërhyrjet e institucioneve ndërkombëtare, sikurse ndodhi edhe në rastin në fjalë.  

Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme, që ligje me ndikim të thellë dhe afatgjatë në ekonomi dhe në konkurencën e lirë në treg, sikurse është edhe projekt ligji në fjalë, të kalojnë dhe miratohen nga qeveria dhe ekzekutivi të kalojnë pothuaj në heshtje të plotë nga qeveria.

"Në vendet e zhvilluara demokratike akte të tilla ligjore, përvec tejdukshmërisë publike të plotë dhe debateve të hapura me grupet e interesit, nuk mund të hyjnë në fuqi në një afat më të shkurtër se dy vjet nga miratimi. Në rastin në fjalë nuk është zhvilluar asnjë debat publik dhe informacionet janë shumë të pakta për thelbin, qëllimet , raportin përftim-humbje dhe rreziqet e mundshme të projekt ligjit në afatgjatë".

Konfindustria shpreh shqetësimin se tashmë po bëhet praktikë normale për ekzekutivin, që ligje me ndikim të ndjeshëm dhe afatgjatë për ekonominë, biznesin dhe qytetarët, miratohen me shpejtësi dhe pothuaj në fshehtësi për publikun e gjerë dhe grupet e interesit.

"Mënyra e miratimit të Pl të “Korporatës Shqiptare të Investimeve” në qeveri dhe kalimi për miratim në Kuvendin e Shqipërisë është përsëritje e të njejtës praktikë të ndjekur me rastin e ligjit të Faturimit Elektronik të TVSH, etj" përfundon deklaratën e saj Konfindustria.

 

/Ora News.tv/