Pas faljes së namazit, festa e Fitër Bajramit vijoi me vizita të figurave të rëndësishme në vend në selinë e  Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Përfaqësues të medias, politikanë dhe ambasadorë uruan shqiptarët për festën, ndërsa nuk munguan dhe mesazhet politike.

Përfaqësues të politikës, medias, diplomatë dhe krerë të besimeve të tjera fetare vizituan Komunitetin Mysliman Shqiptar me rastin e festës së Fiter Bajramit.

Por në këtë ditë të shënuar të besimit islam, nuk munguan as mesazhet e ndërkombëtarëve për krizën politike në vend.

Ambasadorja gjermane, Suzanne Schutz, u mjaftua vetëm me thirrjen "Jo dhunës", por më herët ambasadori britanik deklaroi se politika duhet të japë mesazhin që feja jep në Shqipëri dhe që lidhet me bashkëjetesën.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, solli si shembull bashkëjetesën fetare, për ti bërë apel per reflektim dhe opozitës.

Erion Veliaj: Sot një ditë e mirë për besimtarët, por një ditë shumë e trishtë për politikanët ku besoj duhet të reflektojmë. Nuk mund të themi dhe ti predikojmë për harmoni monsinjorit dhe imamit, ndërkohë që vetë nuk ulemi dhe të flasim, nuk ulemi të diskutojmë.

Selinë e Komunitetit Mysliman e vizitoi edhe Presidenti i Yldon Media Group dhe njëkohësisht President i Radio Televizionit Ora dhe Channel One, Ylli Ndroqi dhe bashkëshortja e tij.

Njëkohësish kryegjyshi botëror Edmond Brahimaj shtroi drekën e bajramit për besimtarët myslimanë.



/Ora News.tv/