Ankimi nga Komisioneri Publik, Zaganjori dorëzon 10 prova të reja

Ankimi nga Komisioneri Publik, Zaganjori dorëzon 10 prova të reja

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shqyrtojë provat e reja të dorëzuara nga kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Në seancën e të merkurës, Zaganjori dorëzoi 10 dokumente të reja krahas 23 të tjerave të paraqitura një seancë më parë. Në dalje të KPA, Zaganjori foli për mediat lidhur me ngërçin në Gjykatën e Lartë dhe pezullimin e dy ekstradimeve, të cilat nuk janë marrë në shqyrtim në afat për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi marrjen në shqyrtim të provave të reja të paraqitura nga kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori i cili kundërshton kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e tij nga detyra.

Në seancën e dytë të procesit të vetingut ndaj tij, kryegjyqtari ka mohuar akuzat lidhur me pasurinë, duke pretenduar se i ka paguar detyrimet tatimore, duke i vërtetuar edhe me dokumentacionin e periudhës 1995-1997.

Zaganjori: Si në seancën e datës 25, edhe sot rreth të njëjtave argumente sillen pyetjet dhe përgjigjet. U përpoqa të jap më të mirën. Sot paraqita 10 dokumenta të reja krahas atyre 23 që paraqita herën e fundit. Trupa gjykuese u tërhoq për të vlerësuar marrjen ose jo përsipër për të shqyrtuar dokumentat që dorëzova.

Vendimi për lënien në fuqi ose jo të vendimit të KPK-së për kryegjyqtarin Zaganjori do të shpallet nga KPA në datën 17 korrik, ora 14:00.

Ndërkohë pas seancës, i pyetur në lidhje me ngërçin në Gjykatën e Lartë, Zaganjori tha se se aktualisht janë dy ekstradime të cilat s’janë marrë në shqyrtim, dhe për këtë arsye ai ka njoftuar Kolegjin e Lartë për nevojën e zgjedhjes së 4 anëtarëve të rinj me qëllim për zhbllokimin e situatës.

Zaganjori: E di që janë dy ekstradime. Kemi njoftuar edhe KLGJ. Çdo gjë varet prej tyre, duhet të avancojnë, duhet të ecin me zgjedhjen e anëtare të rinj. Të paktën e bën të mundur të funksionojë gjykata.Ka çështje që trajtohen dhe me tre gjyqtarë, çështjet civile. Por të paktën çështjet urgjente mund të ezaurohen në Kolegj me tre gjyqtarë. Zgjedhja e anëtarëve të rinj i jep frymëmarrje gjykatës.

RTV Ora mësoi se dosjet e ekstradimeve të cilat gjykata nuk i ka marrë në shqyrtim ende janë konkretisht për shtetasit Besnik Leka dhe Robens Berberi, të cilët rrezikojnë të lirohen  nëse çështjet ndaj tyre nuk shqyrtohen në kohë në Gjykatën e Lartë. 

EMISIONET