Fenomeni i rrëshqitjes së dherave mbetet i pranishëm dhe rrezik për ndërtimet në Kodrën e Shtufit në Gjirokastër.  dy vjet pas situatës së krijuar me një pallat 8 katësh, tashmë në rrezik janë një shtëpi private dhe një pallat tjetër. Gjendja është e njohur në Bashkinë e Gjirokastrës, por për këtë vit ata nuk kanë para për ndërhyrje të plotë për të stabilizuar dherat.

Një shtëpi dhe një pallat 6 katësh rrezikohen nga fenomeni i rrëshqitjes së dherave në Lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër.

Dy vjet pas situatës së krijuar me një pallat 8 katësh, rreziku mbetet i pranishëm por pas ndërhyrjeve vetëm është zhvendosur disa metra me tej.

Alarmin e ngre kjo grua që banon e vetme në banesën private poshtë hijes së pallatit.

Ajo thotë se gurët e dheu aty nuk po gjejnë qetësi.

"Unë një jam, ja ika, por ky pallat po ra, gjithë këto familje këta fëmijë...banorët e pallatit duhet të ngrihen".

Situata është e njohur në shtabin e Emergjencave në Bashkinë e Gjirokastrës, por për këtë vit ata mund të bëjnë vetëm ndërhyrje emergjente.  Arsyeja është e thjeshtë nuk kanë para për një projekt rrënjësor që të stabilizojë gjendjen.

"Për momentin ne nuk mund të ndërhyjmë për investimt ë detajuar, sepse kërkon një investim të thelluar, një projekt dhe këto do të parashikohen në vitin pasardhës"

Ndërtimet në Kodrën e Shtufit në Gjirokastër janë kryesisht të pas viteve 90, pasi më herët aty banorët vendas nuk ndërtonin pikërisht për shkak të rrëshqitjes së dherave që karakterizon zonën

/Ora News.tv/