Kodet politike të tetorit, gjithçka çfarë deklaroi Meta në intervistën për "Tempora"

Kodet politike të tetorit, gjithçka çfarë deklaroi Meta

Presidenti Ilir Meta foli në një intervistë ekskluzive për emisionin "Tempora" në nisje të sezonit të ri në RTV Ora.

Kriza politike, vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, konflikti President- Parlament por edhe një nismë e re nga Kreu i Shtetit  për mbrojtjen e Kushtetutës të cilën deklaroi se do ta prezantojë me 22 nëntor, janë disa nga temat që morën përgjigje në këtë intervistë.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën eksluzive për "Tempora" të Presidentit dhënë për gazetaren Marjana Legisi.

Gazetarja Marjana Legisi: Zoti President në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ju publikuat një status në rrjetet sociale. Në këtë status ju flini për një betejë për shpëtimin e demokracisë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jo legjitime. Çfarë nënkupton me këtë betejë Presidenti i Republikës?

Presidenti Meta: Padyshim që kjo është një betejë që bëhet në emër të demokracisë, bëhet në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe kjo nënkupton ose më saktë kupton shumë qartë atë objektiv që unë e kam vendosur se duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të marrin në dorë të ardhmen e tyre dhe sovranitetin mbi të ardhmen e tyre dhe mbi institucionet, të cilat duhet të japin llogari përpara qytetarëve.

Jemi në kushtet kur praktikisht sistemi i llogaridhënies në vend është pothuajse i nivelit zero. Jemi në kushtet e një antagonizmi politik të paprecedentë, që nuk reflekton atë tension në raportet e përditshme të qytetarëve tanë, pavarësisht nga bindjet apo përkatësitë e ndryshme politike. Dhe sigurisht unë e vlerësoj që kjo është e qëllimtë pikërisht për të realizuar vendime, të cilat cenojnë interesat e qytetarëve tanë dhe cenojnë të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, pavarësisht bindjeve apo përkatësive partiake.

Gazetarja: Zoti President, duket që kështjella e fundit e kushtetueshmërisë është Presidenca. Ju këtë betejë me çfarë mjetesh dhe njerëzish do ta realizoni?

Presidenti Meta: Sikurse e kam premtuar edhe më parë, kjo është një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe në radhë të parë e vetë Kushtetutës dhe e parimeve të saj.

Është për të ardhur keq që vendi përjeton një kaos institucional dhe një shtet paralel, që është pikërisht ai që unë e kam quajtur shteti i propagandës dhe i PPP-ve kundër shtetit të së drejtës. Dhe unë jam tepër i vendosur që të sillem gjithmonë si President i shtetit të të drejtës, që të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet e saj themelore dhe të drejtat kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë, që mendojnë se janë cenuar dhe cenohen në mënyrë të vazhdueshme, që nga e drejta e zgjedhjes, që nga e drejta e informimit.

Po përjetojmë një situatë dezinformimi në tërësi në mediat tona dhe kjo është e papranueshme, është dhunim i kësaj drejte kushtetuese që u takon të gjithë qytetarëve shqiptarë. Përjetojmë dhunimin e pronës në mënyrë arbitrare dhe pamundësinë për t’u mbrojtur në një sistem të besueshëm dhe efikas të gjykatave.

Gazetarja: Ju po flisni për një shtet paralel, çfarë mund të bëjë Presidenti në këto kushte?

Presidenti Meta: Duke u sjellë në mënyrën më kushtetuese, më institucionale dhe sigurisht duke kërkuar edhe ndihmën e të gjithë aktorëve të tjerë të cilat nuk kanë interesa afatshkurtra politike, por të cilët janë realisht të preokupuar për këtë lloj pengmarrjeje të demokracisë dhe për këtë antagonizëm politik të paprinciptë, që u imponohet nga lart, por edhe që nuk i shërben Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Gazetarja: Në fakt në këto momente që flasim mazhoranca, qeveria dhe Kuvendi, kanë nisur një betejë për shkarkimin tuaj nga posti i kryetarit të shtetit. Ju u paraqitët edhe në komisionin hetimor për këtë çështje. Në fakt, duket që beteja po spostohet tashmë në një tjetër rrafsh, në atë politik?  

Presidenti Meta: Nuk ekziston një betejë e tillë midis Parlamentit dhe Presidentit. Kjo është një shpikje, sepse beteja e vërtetë është midis shtetit të propagandës dhe shtetit të së drejtës.

Unë kam qenë në Kuvend për arsye, sepse nuk mund t’i lejoja shtetit të propagandës luksin që të pretendonte se Presidenti ka bërë një shkelje kushtetuese dhe prandaj nuk ka ardhur. Pasi opinioni publik është bombarduar në mënyrë të vazhdueshme me terma të shpikur që nuk ekzistojnë asgjëkund si “çdekretim” e fjalë të tjera, ndërkohë që ju e patë vetë dhe nga paraqitja ime dhe nga përpjekja ime për t’u përqendruar te çështjet kryesore dhe për të dhënë sqarime sa më shteruese, se Presidenti nuk kishte bërë, nuk ka bërë dhe nuk mund të bënte asnjë shkelje kushtetuese, përveçse ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës, parimeve të saj themelore dhe sidomos të të drejtës për të zgjedhur të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Gazetarja: Çfarë vendimesh pret të marrë Presidenti në rast se në 11 tetor Venecia ju gjenë në shkelje Kushtetuese, në 13 tetor nuk zhvillohen zgjedhje në bazë të dekretit që ju keni nxjerrë dhe në 18 tetor nuk marrim çeljen e negociatave?

Presidenti Meta: Për Presidentin tani ka dy data: është data 18 tetor për arsye, sepse kjo datë është tepër e rëndësishme. Në çdo rast do merret një vendim dhe apelimi im ka qenë, dhe është, që në çdo rast të ketë një “PO”. Në rast se do të jetë një po dhe pa kushte, kjo do të jetë një festë e madhe, por për gjithë rrjedhën e këtyre ngjarjeve te deritanishme, dhe që po diskutojmë bashkë, është e qartë që kjo po duket shumë ëndërrimtare sot, dhe në rast se do të jetë një “PO” me kushte, lutja ime për Bashkimin Europian është që të ketë kushte sa më të qarta dhe sa më specifike që përfshijnë të gjithë aktorët në këtë vend.

Duke filluar dhe nga Presidenti i Republikës, nga Parlamenti, nga qeveria, nga opozita, duke ju referua standardeve të Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të realizojë sa më shpejt në mënyrë që çdo institucion të vihet para përgjegjësisë në raport me këtë objektiv kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptar, të cilët janë penalizuar padrejtësisht nga ky konflikt, nga ky antagonizëm i paprinciptë politikë.

Gazetarja: Nëse do ketë një “PO” ose një “PO” me kushte specifike siç thoni ju, në fakt a jeni optimist për këtë “PO”?

Presidenti Meta: Ne këtë “PO”-në e kemi pasur me thënë të drejtën edhe vitet e kaluara, nuk është se na ka munguar optimizmi, por realisht nuk kemi patur një datë dhe situata është e vështirë që të themi që është përmirësuar, qoftë edhe në raport më zgjedhjet dhe jo vetëm kaq.

Edhe në raport me funksionimin e shtetit të së drejtës në vend, të respektimit të Kushtetutës dhe të kontrollit dhe të balancave të pushteteve, që është tronditur seriozisht. Ne shohim një shtet të propagandës apo një shtet të mazhorancës përballë shtetit të së drejtës, pra jemi gjithmonë në një betejë të shteteve paralele. Unë kam qenë, jam dhe do të jem një gjithmonë një President i shtetit të së drejtës.

Përsa i takon çështjes së Kushtetutës, duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’i kujtojë partitë që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, siç thotë qartë misioni i OSBE/ODIHR i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm.

Së dyti, për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, e cila natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi. Por, sidoqoftë në atë Kushtetutë të gjithë shqiptarët kanë votuar me shpresën dhe besimin se ajo do të mbrojë dhe garantojë të drejtat themelore të tyre.

Ndaj unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.

Gazetarja: Kjo nismë do jetë si Presidenti i Republikës apo do t’i ktheheni betejës politike?

Presidenti Meta: Kjo është një nismë si President i Republikës, që e ka detyrim të kujdeset për të drejtat themelore të qytetarëve shqiptare, të mos pajtohet me asnjë institucion që i cenon ato. Gjithashtu të mos të pajtohet me gjithë institucionet që e kanë për të detyrë për t’i mbrojtur dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe do të jetë një nismë, ku shumë surpriza të tjera do të shpalosen në kohën e duhur, pasi fokusi im tani është 18 tetori, për momentin nuk është 22 nëntori.

Por pas 18 tetorit fokusi do të jetë 22 nëntori dhe ky do të jetë një aksion i vazhdueshëm që, nuk ka lidhje me partitë dhe forcat politike. Por që do të përfshijë gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut që besojnë në demokraci, në rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka respektimi i të drejtave të njeriut në këtë vend, të institucioneve të pavarura dhe që nuk konformohen dhe nuk pranojnë këtë situatë mjaft kritike në të cilën ndodhen sot të drejtat e njeriut në vendin tonë.

Gazetarja: Pra, do zgjerohet rrethi nuk do jeni i vetëm në këtë betejë?

Presidenti Meta: Unë asnjëherë nuk kam qenë i vetëm dhe kjo është një betejë që bëhet për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, dhe këtu janë të gjithë të ftuar të kontribuojnë. Secili duke mbrojtur këto të drejta, secili në këtë mënyrë merr në dorë mundësinë për të ndikuar në qeverisjen e vendit, merr mundësinë për t’u mbrojtur nga çdo papërgjegjshmëri dhe arbitraritet sikurse ka ndodhur.

Gazetarja: Nëse nuk ka një marrëveshje Rama-Basha para kësaj date?

Presidenti Meta: Kjo nuk ndryshon asgjë në angazhimet e mia, në rast se të gjitha palët angazhohen t’i respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, kjo është një gjë e mrekullueshme. Por Presidenti në çdo rast do të ketë një axhendë të tij dhe këtë do ta bëjë publike në ditën e referendumit për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë më 22 nëntor, e cila për Presidentin është një ditë e Kushtetutës.

Gazetarja: Zoti President, do të ndiheshit vetëm nëse atë ditë Edi Rama do shtrëngonte duart sërish me Lulzim Bashën?

Presidenti Meta: Së pari unë nuk po e kuptoj pyetjen tuaj!

Gazetarja: Sepse po flitet për një marrëveshje mes tyre.

Presidenti Meta: Unë jam përpjekur vazhdimisht për t’i ulur të dyja palët për të bërë marrëveshje sikurse ka qenë rasti i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nëse mbani mend. Pa ndërhyrjen time të vendosur mendoj që kurrë nuk do të kishte ndodhur dhe askush nuk do të merrte vesh se çfarë ndodhi dhe çfarë nuk ndodhi dhe sot nuk do të kishim rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Unë kam bërë çdo gjë edhe në kohën e kësaj çadrës së famshme për të shmangur atë situatë tepër konfliktuale, që ngjante shumë edhe me këtë situatën e tanishme edhe pse kam palë, kam qenë Kryetar Kuvendi dhe përfaqësues i një force të caktuar, kam bërë çdo gjë. Kam ftuar përfaqësuesit e PE-së, McAlister-in, kam dhënë kontribut maksimal që të ofrohej një paketë që Partia Demokratike të merrte një marrëveshje sa më dinjitoze për të garantuar një integritet të zgjedhjeve.

Më pas kemi pasur një marrëveshje për të cilën prapë kemi insistuar edhe pasi unë jam zgjedhur President, që duhet përsëri marrëveshje se nuk mund të hyhet pa Partinë Demokratike. Sigurisht se ç’lloj marrëveshje ishte ajo këtë e dëshmuan edhe zgjedhjet, pra nuk i shërbeu zgjedhjeve.

Gjithë këtë periudhë kam insistuar përsëri për një bashkëpunim, për një marrëveshje, jo thjesht midis Ramës dhe Bashës, por midis pozitës dhe opozitës dhe kjo gjë nuk ka ndodhur çuditërisht, të dyja palët kanë vendosur kushte jo të arsyeshme.

E para, zoti Rama ka thënë që nuk shtyjmë datën 30 qershor, ndërkohë që opozita kishte dalë nga parlamenti. Atëherë se për çfarë do dialogonte opozita kjo dukej qartë që e bënte të pamundur një dialog real nga pozita të pranueshme. Zoti Basha ka pasur ato kushtet e tij që nuk e njihte, nuk e pranonte zotin Rama, dhe mua kjo më është dukur e papranueshme.

Unë, i kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe do t’i bëj dhe të jeni të sigurt që nuk ekziston një shqetësim i imi në rast se do të ketë një marrëveshje Rama-Basha. Por absolutisht, që qytetarët shqiptarë janë mjaft të vëmendshëm që çdo marrëveshje në të ardhmen të mos riprodhojë krizë, por të garantojë një reflektim të dy palëve dhe ajo që është më e rëndësishme t’u kthejë atyre sovranitetin.

Qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatin e tyre, duhet të zgjedhin deputetët e tyre, sepse këtu ka humbur koncepti i zgjedhjes, që jo vetëm në vend, por edhe nga mënyra sesi bëhen ato, kur bëhen edhe me kandidatë alternativë, sipas edhe atyre dosjeve problematike, që kanë rrjedhur edhe në mediat e huaja edhe këtu edhe kudo.

Por, edhe brenda partive shohim shumë më pak demokraci, jo vetëm parlamentare, por edhe demokraci partiake. Shohim shumë më pak figura të reja, me personalitet me një lloj pavarësie, të cilët do të ndihmonin shumë që politika shqiptare të kishte sa më shumë ngjyra, të ishte një politikë sa më përfaqësuese dhe të mos mbetej peng i politikave personale.



EMISIONET