“Rama ka të drejtë të ndryshojë. Ai tani duket se është dakord me projektin e partisë ‘Zgjidhja’. Ne e përshëndesim këtë kthesë. Le të shohim se interesat e kujt do udhëheqë e përfaqësojë në këtë zhvillim të ri” Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima e përshëndet, siç e quan ai kthesën e kryeministrit për çështjen e lejimit të kanabisit për qëllime mjekësore.

“Ai (Rama) tani duket se është dakord me projektin e partisë ‘Zgjidhja’”, thotë Kokëdhima, që pasi përmend përfitimet për pacientët dhe ekonominë , shton se rreziku i parë i procesit qëndron në zvarritjen dhe vonesën e mëtejshme të këtij projekti që mund ta lërë Shqipërinë përjetësisht jashtë këtij tregu.

Propozuesi i parë i legalizimit të kanabisit medicinal nuk e sheh me frikë dyshimin e arsyeshëm të rrezikut të shndërrimit të ekonomisë legale në trafik siç ndodhi më 2016.

“Nuk duhet të kemi frikë nga kjo gjasë edhe nëse ndodh. Nuk është ky projekt që e mbart këtë rrezik. Rama është përgjegjës për atë histori. Legalizimin e kanabisit nuk e kanë dashur as SHQUP-i dhe as Rilindja. Arsyeja është se elita jonë politike dhe mafia e kanabisit nuk janë dy gjëra të ndryshme. Aq të pleksura e të molepsura janë sa mund të themi se ato janë përafërsisht e njëjta gjë.  Rama ka të drejtë të ndryshojë. Ai tani duket se është dakord me projektin e partisë ‘Zgjidhja’.”

Ju jeni një nga zërat e parë që keni propozuar prodhimit e kanabisit për qëllime mjekësore. Pse jeni pro një iniciative të tillë?

Thuajse gjithë bota e zhvilluar dhe të gjitha shtetet e rajonit tani e kanë legale ekonominë e kanabisit. Ndërsa Shqipëria e ka refuzuar këtë ekonomi. Ajo dhe politika e saj janë anormale. Ndërsa teza ime është normale, e logjikshme dhe e drejtë. Në Shqipëri kanabisi është burim të mirash për mafien dhe burim të këqijash për rendin, sigurinë, qytetarët dhe shtetin.

Ajo që kam propozuar unë publikisht që në nëntor 2014, në Kuvendin e Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet një tezë progresive e shumicës së opinionit publik. Shqipëria duhet të garantojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj për të përdorur kanabisin dhe të gjitha ilaçet që burojnë prej tij për trajtimin efektiv të mbi 170 sëmundjeve, që nuk kanë mjekime me medikamente alternative.

Në Shqipëri ka mbi 50 mijë pacientë, që kanë nevojë jetike për të përdorur ilaçet me bazë kanabisin dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë që t’ua mohojmë këto të drejta që i kanë të gjithë qytetarët e botës. Nuk është as e drejtë as e dobishme që këto ilaçe të futen ilegalisht nga vendet fqinjë të rajonit, që e kanë kthyer në industri fitimprurëse marijuanën medikale.

Sot gjithë bota po e përdor kanabisin për të prodhuar dhjetëra mijë artikuj ushqimorë, kozmetikë e industrialë në të mirë të njerëzimit. Mbi 30 shtete kanë legalizuar kanabisin rekreativ ndërkohë që ne vazhdojmë të burgosim e shkatërrojmë përdorues hashashi. Kjo është tragjike. Politikat e Shqipërisë deri tani i kanë përcaktuar interesat e mafies së marijuanës. Politika dhe shtypi ka shprehur e mbrojtur këto interesa dhe ka tradhtuar interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Ne kemi nevojë për një vizion tjetër.

A ka një kalkulim sa mund të jnë përfitimet ekonomike të  Shqipërisë nga legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore?

Bota ka lëvizur dhe po lëviz shumë shpejt. Ekonomia e kanabisit në 2019 bëri rreth 20 miliardë dollarë të ardhura. Në vitin 2026 mendohet që kjo ekonomi të bëjë rreth 100 miliardë dollarë.

Propozimi im i 6 viteve më parë ishte që Shqipëria të kultivojë kanabis për eksport, për shkak se industria e kanabisit farmaceutik në botë është një industri shumë miliardëshe dhe vendi ynë ka mundësi të përfitojë nga kjo industri. Shqipëria, edhe pse ilegalisht, ka prodhuar në gjithë këto vite kanabis me cilësi të lartë dhe të njohur në Evropë.

Kanabisi është biznesi me rritjen më të shpejtë në botën e qytetëruar.

Shkalla e përfitimeve tona varet nga politikat që do zbatojë shteti dhe qeveria. Një politikë e drejtë dhe largpamëse mund të rikuperojë dëmet e mëdha që ju bënë Shqipërisë duke e privuar nga ekonomia botërore e kanabisit legal.

Partia ‘Zgjidhja’ është e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe programin e saj për të ndihmuar një plan suksesi për ekonominë kombëtare të marijuanës në Shqipëri.

Nga ana tjetër ka dhe rreziqe. Cilat janë ato?

Rreziku i parë qëndron në zvarritjen dhe vonesën e mëtejshme të këtij projekti që mund ta lërë Shqipërinë përjetësisht jashtë këtij tregu.

Rreziku i dytë qëndron në faktin se mafia do përpiqet ta shtijë në kthetrat e saj këtë ekonomi. Disa media kanë raportuar se pas 5 licencave të prodhimit në Maqedoni qëndrojnë 5 trafikantët më të njohur serbë të drogës.

Rreziku i radhës është që qeveria ta destinojë këtë ekonomi për zyrtarët e lartë të korruptuar dhe për klientët e tyre të cilët marrin peng tregjet dhe të drejtat e zhvillimit të Shqipërisë.

Rreziku i katërt, pas pengimit të pafalshëm për 6 vite të këtij zhvillimi, është konceptimi dhe implementimi semplist e i gabuar i këtij projekti. Maqedonia është një shembull nga i cili duhet të mësojmë edhe nga gjërat që ajo bëri mirë edhe nga gjërat që ajo i bëri gabim.

Nëse projekti udhëhiqet nga interesat e larta të shtetit nuk shoh rreziqe të tjera. Përkundrazi, do kemi vetëm përfitime. Çfarë rreziqesh na vinë duke thithur investime e hapur vende pune, duke fuqizuar shtetin dhe qytetarët, duke larguar përdoruesit të furnizohen nga trafikantët, duke dobësuar mafien e kanabisit, apo duke u dhënë ilaçe atyre pacientëve që kanë nevojë?

A e bën dot qeveria “Rama” ekonominë legale pa e kthyer në linjë trafiku?

Nuk duhet të kemi frikë nga kjo gjasë edhe nëse ndodh. Nuk është ky projekt që e mbart këtë rrezik. Shqetësimi juaj besoj i referohet kanabizimit të vendit në vitet e fundit. Rama është përgjegjës për atë histori. Legalizimin e kanabisit nuk e kanë dashur as SHQUP-i dhe as Rilindja. Arsyeja është se elita jonë politike dhe mafia e kanabisit nuk janë dy gjëra të ndryshme. Aq të pleksura e të molepsuara janë sa mund të themi se ato janë përafërsisht e njëjta gjë.

Rama ka të drejtë të ndryshojë. Ai tani duket se është dakord me projektin e partisë ‘Zgjidhja’. Ne e përshëndesim këtë kthesë. Le të shohim se interesat e kujt do udhëheqë e përfaqësojë në këtë zhvillim të ri. Nuk përjashtohet që edhe vetë mafia e kanabisit të ketë interes nga ky zhvillim. Por ne nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Koha do tregojë gjithçka. Ftoj shtypin dhe shoqërinë civile ta trajtojë me shumë kujdes e përgjegjësi këtë çështje. Çdo përpjekje për të legalizuar dhe ngritur ekonominë kombëtare legale e komplekse të marijuanës është shumë më e mirë se hezitimi i ndershëm i politikanëve të pandershëm për të bërë një hap përpara.

Mos harroni dhe diçka themelore: vizioni dhe politika jonë për të ngritur këtë ekonomi konsideron interesat e popullit dhe të shtetit tonë për gjithë jetën dhe jo vitet e pushtetit të qeverive e politikanëve tanë kalimtarë.

*Botuar te gazeta “Liberale”

/Ora News.tv/