Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë kritik ndaj qeverisë në lidhje me faturën e lartë që kanë shkaktuar shkarkimet e padrejta nga puna. Vetëm për vitin 2018, i kanë kushtuar buxhetit 1.6 miliardë lekë. KLSH ripërsëriti thirrjen për kujdes me projektet PPP si dhe me ndikimin në financat publike.

Nisur nga kjo, drejtorja e Kontrollit të lartë të Shtetit, Lindita Lati, u ka bërë thirrje institucioneve të bëhet kujdes me largimet nga puna.

Lindita Lati: "Efekti në buxhet për largimet e padrejta të punonjësve nga puna, të pasqyruara në llogaritë e shpenzimeve operative llogaritet 1.6 miliardë lekë dhe për vendimet e tjera gjyqësore rreth 0.8 miliardë lekë".

Projektet e Partneritet Privat Publik vijojnë të mbeten një nga shqetësimet kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Po ashtu kujdes u kërkua edhe për projektet që miratohen pa fond.

Lindita Lati: "Në bazë të të dhënave deri në vitin 2018, këto koncensione kanë arritur vlerën 3 mijë e 517 milionë lekë. Ka një sërë problematikash që duhen konsideruar edhe nga ministria e Financave sepse brenda të njëjtit sektor, sektorit të shëndetësisë, kemi kontrata koncesionare një pjesë e tyre paguajnë Tvsh dhe një pjesë e tyre nuk përfshihen".

Kreu i komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj i kërkoi ministrisë së Financave që edhe për këtë vit të miratojnë shpërblim për pensionistët pasi ky është një premtim elektoral.

"Planifikoni sot të paktën 33 miliardë lekë, një bonus për pensionistët, në mënyrë që pensionistët të gëzojnë si vitin e kaluar nga bonusi që iu takon", u shpreh Ahmetaj.

Ndër të tjera Kontrolli i Lartë i shtetit i kërkoi qeverisë dhe ministrisë së Financave që të mos krijojnë detyrime të prapambetura pasi kjo dëmton klimën e biznesit.

/Ora News.tv/